Transmetuar më 23-12-2020, 21:26

Ndërron jetë një mjek i njohur anestezist në Kosovë.

Bëhet fjalë për anestezistin e njohur nga Kosova Afrim Tasholli, i cili ka humbur betejën me Covid-19 ditën e sotme.

Lajmi është bërë i ditur nga Spitali i Ferizajt, ku mes fjalëve të ndjera janë shkruar cilësitë e vyera të mjekut të njohur kosovar.

Njoftimi

“E zorshme, e dhimbshme e trishtë të flitet për ikjen e hershme të kolegut Afrim Tasholli një njeriu stoik e profesionist.

Stoicizmin e dëshmoi me përpjekjet prej sizifi për ta ngadhënjyer të keqen që e kaploi.

Ai tërë jetën iu përkushtua humanizmit. Një kohë me angazhimin në mjekësin primare të Ferizajt, specializimin në Prishtinë dhe si specialist i Anesteziologjis me Mjekim Intesiv në Spitalin e Përgjithshëm Ferizaj.

Dha kontribut edhe në edukimin e brezave të ri me angazhim në shkollën mesme të mjekësis “Elena Gjika”.

Afrimi është vetëm njëri nga ne që nuk rreshti që me punën e tij ta lartësojë profesionin e mjekut.

Afrimi ishte njeri i mirë sikurse edhe profesionist i mirë.

Por, sot, Afrimi e humbi betejën nga ky virus nga kjo pandemi që e kaploi mbarë botën.

Afrimi do të kujtohet çdoherë si një nga emrat e mjekëve që kontribuoi në sferën e shëndetësisë dhe standardeve profesionale, të cilave u qëndroi konsistent deri në frymën e fundit”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Ferizajt.