Transmetuar më 22-12-2020, 17:52

Nga Bernard Guetta“Scoop”

Në vitet 1970, punoja si gazetar në të përjavshmen “Le Nouvel Observator”, si i specializuar mbi lëvizjet disidente në vendet e bllokut komunist. Ai rol më dha një mundësi unike për të kuptuar më mirë natyrën e Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tij satelite.

E kuptova shumë shpejt se historia e komunizmit në Evropë, ishte në fakt historia e rënies së tij. Regjimet vasale të Moskës, ishin të paaftë në menaxhimin e ekonomive të tyre. Me thënë të drejtën, projekti i vetëm efikas komunist duket se ishte Politika e Re Ekonomike (NEP), e nisur nga Lenini në vitin 1921.

Pas atij momenti, pati vetëm dështime të njëpasnjëshme. Kjo ishte një nga arsyet pse qeveritë komuniste iu drejtuan përdorimit të terrorit. Në fakt, dhuna u bë mjeti kryesor i regjimeve për të mbajtur pushtetin në Bashkimin Sovjetik, por edhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Kjo tendencë ishte praktikisht e pavend, për sa kohë ata arritën të frenonin zjarrin e revolucioneve lokale. Por sapo mbërriti stanjacioni, i gjithë sistemi u shemb. Kudo në Evropën Qendrore, prishja e komunizmit ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë, në vitin 1989.

Duke pasur parasysh këtë rastësi, dhe ngjashmëritë e shumta brenda procesit, është joshëse të bëjmë disa përgjithësime. Por ky do të ishte një gabim, pasi evolucioni i sistemit nuk ishte i njëtrajtshëm, pasi kishte ndryshime midis vendeve,të cilat ishin aq të theksuara sa qëmund të flitet edhe për disa variante të socializmit.

Për shembull, kur vizitova Rumaninë e qeverisur nga Nicolae Ceauşescu, unë kisha frikë. Nga ana tjetër, gjatë qëndrimit tim në Poloni, nuk kisha këtë ndjesi. Të dyja vendet ishin sigurisht regjime komuniste, që nuk lejonin as pluralizëm politik dhe as lirinë e medias.

E megjithatë, në Poloni mund të diskutoje praktikisht për gjithçka privatisht, ndërsa në Rumani kjo ishte diçka e paimagjinueshme. Duke filluar nga viti 1956, Polonia nisi një proces të vazhdueshëm të zgjerimit të lirive civile, për shkak të protestave të punëtorëve dhe kërkesave sociale (1968, 1970, 1976, 1980).

Në Rumani ndodhi e kundërta. Ceauşescu mund të ketë qenë i pavarur nga Moska në punët e jashtme (ai mbajti marrëdhënie diplomatike me Izraelin, dhe i dërgoi sportistët rumunë në Lojërat Olimpike 1984 në Los Anxhelos, që u bojkotuan nga vendet e tjera komuniste), por kur vinte puna për politikat e brendshme, regjimi i tij ishte asgjë më shumë se një version tmerrësisht dhe i rëndë rumun i stalinizmit.

Panorama ishte e ndryshme në Çekosllovaki. Partia Komuniste në pushtet, refuzoi të de-stalinizohej në vitin 1956, dhe Çekët nuk imponuan ndonjë ndryshim deri në 1968. Dhe kur e bënë këtë, ata u përballën me një pushtim sovjetik. Në këtë mënyrë, Bashkimit Sovjetik ndaloi çdo reformë në vend për 21 vitet e ardhshme.

Megjithëse regjimi çekosllovak nuk ishte aq brutal sa homologu i tij rumun, situata në Pragë ndryshonte nga ajo në Varshavë, Budapest (ku kishte shumë hapje),apo në vendet e tjera të rajonit. Komunizmi në Evropën Qendrore u zbatua në forma të ndryshme, në varësi të vendit. Dallimet ishin kryesisht produkt i rrethanave historike.

Për shembull, Partia Komuniste në Çekosllovaki kishte një numër të madh ndjekësish pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe kur komunistët e morën pushtetin në vitin 1945, ata dinin të përfitonin nga ky popullaritet, dhe t`a përdornin si një burim mbështetje,që mbeti i zbatueshëm praktikisht deri në protestat e para të Revolucionit të Kadifejtë.

Anasjelltas, në Poloni, komunistët asnjëherë nuk kishin qenë të mirëpritur nga popullsia, prandaj ata nuk arritën të fitonin ndonjë mbështetje të gjerë popullore. Aq më tepër që polakët kanë qenë tradicionalisht anti-rusë, dhe e dinin shumë mirë se regjimi i ri ishte instaluar me bekimin e Moskës.

Marrëdhëniet midis autoriteteve komuniste dhe shoqërisë polake, ishin gjithnjë të tensionuara. Përveç kësaj, ishte e vështirë të gjeje dikë që do të ishte një besimtar i vendosur tek komunizmi. Edward Gierek, që arriti të stabilizonte ekonominë polake pas revoltës së dhjetorit 1970, ishte i vetmi udhëheqës komunist, që e kuptoi se polakët nuk do të konvertoheshin kurrë në komunizëm,përmes terrorit apo zellit revolucionar.

Prandaj, ai u përpoq të përdorë argumente ekonomike, dhe iu afrua më shumë njerëzve. Ai ishte padyshim më i suksesshëm se Gomułka apo Jaruzelski. Ky i fundit, duke e kuptuar që situata e tij ishte përtej dëshpërimit, ra më në fund dakord për një tranzicion ekonomik në vitin 1989.

Kjo ishte pak a shumë rruga që ndoqën liderët e tjerë komunistë në Evropën Qendrore,

ndërsa u ranë kambanave të vdekjes për sistemin. Nuk ishin disidentët ata që sollën rënien e regjimeve komuniste. Nuk ishte as Papa Gjon Pali II apo Ronald Reagan. Fundi erdhi nga vetë komunizmi.

Sigurisht që roli i disidentëve, Papës dhe presidentit amerikan, nuk duhet të nënvlerësohet.

Po të mos ishin veprimet e tyre, komunistët do të kishin qëndruar për 10 ose ndoshta edhe 20 vjet të tjera të tjera në pushtet. Sidoqoftë, herët a vonë, sistemi do të ishte shembur, pasi ishte dëmtuar nga problemet që krijoi po vetë, dhe të cilat nuk mund të zgjidheshin.

Shënim:Bernard Guetta, europarlamentar francez, pjesë e grupit “Ripërtëri Evropën”. Ka qenë për shumë vite gazetar dhe korrespondent i“Le Monde”, “L’Expansion” dhe “Le Nouvel Observator”.

/a.m/NOA.al