Transmetuar më 21-12-2020, 16:52

Shqipëria si një nga vendet e varfra në botë vazhdon të ketë një tregues “pozitiv” në këtë periudhë të vështirë ekonomike për gjithë botën.

Vendi ynë renditet ndër vendet me çmimim të lartë të karburanteve në botë, më saktësisht e treta.

Sipas një renditje të fundit të “Global Price Petrol”, për çmimin e naftës Shqipëria lë pas vetëm dy shtete në të gjithë rruzullin tokësor, Suedinë dhe Hong-Kongun, të cilët konsiderohen si vende të pasura dhe me burime të mëdha të ardhurash për frymë.

Mesatarja e një litri nafte në Shqipëri llogaritet në 1,66 dollarë. Në Suedi çmimi është 1,72 dollarë për litër, kurse 1.93 dollarë për litër kushton nafta në Hong-Kong.

Diferenca me vendet e rajonit është shumë e madhe, ku maqedonasit e blejnë një litër naftë për 1.05 dollarë, një çmim ky shumë herë më i lirë se ajo çka paguajnë qytetarët shqiptarë. Në Mal të Zi një litër naftë shitet mesatarisht për 1.24 dollarë ndërsa në Serbi për 1,46 dollarë.

Shoqatat e konsumatorëve, por edhe disa grupe biznesi disa herë kanë ngritur zërin se në qëndër të çmimeve të larta të karburantit që ka Shqipëria është rregjimi fiskal i rënduar dhe përqendrimi i tregut në pak duar, pra kemi të bëjmë me një treg oligark, ku kompanitë dominuese kontrollojnë importin me shumicë, depozitimin dhe tregtinë me pakicë.

Indeski i global Price Petrol është publikuar në mes të Dhjetorit të këtij viti.  Aty rezulton se Shqiperia lë pas për nga çmimi i naftës për konsumatorët të gjitha shtetet e Bashkimit Europian dhe me standarde të larta të jetesës, si Gjermania, Italia, apo Franca, Anglia dhe SHBA. /a.m/NOA.al