Transmetuar më 19-12-2020, 12:10

Profesori i Institutit të Lartë të Arteve Milto Vako, i cili u nda nga jeta afro 1 muaj më parë është nderuar me titullin “Mjeshtër i madh”, pas vdekjes, nga Presidenti i Republikës.

Presidenti Ilir Meta ka nderuar me titullin “Mjeshtër i madh” profesorin dhe dirigjentin e njohur Milto Vako. Këtë çmim Presidenti i Republikës ua ka dhënë familjarëve, pas vdekjes së Vakos.

Vako ndërroi jetë një muaj më parë.

“Për të gjithë kontributin e vyer, si dirigjent, pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, pata kënaqësinë dhe nderin të çmoj, Profesor Milto Vako, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh", në vlerësim dhe mirënjohje të punës së përkushtuar në drejtimin për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës dhe si udhëheqës artistik pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u nderuar nga artdashësit dhe merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.

“Nderim e respekt, ndaj të gjithë plejadës së personaliteteve të shquara të muzikës shqiptare, ndër dekada, të cilat i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës, si Profesor Vako, Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja e shumë të tjerë, nga duart e të cilëve kanë dalë qindra kompozitorë, instrumentistë, muzikantë e artistë, të cilët kanë arritur të bëjnë emër në vendin tonë dhe në skenat më të mëdha botërore”, shkruan Meta, krahas fotos, duke iu dhënë familjarëve edhe titullin e lartë në nder të Milto Vakos. /a.m/NOA.al