Transmetuar më 17-12-2020, 18:39

Tinka Kurti feston sot 88-vjetorin e saj të lindjes.

Aktorja e madhe , e qindra roleve të spiktatura në kinematografi dhe teatër, aq sa u bë ikona e ekranit, Tinka Kurti, ka marrë urime të shumta nga të afërmit, miqtë, dhe padyshim adhuruesit e saj të panumërt, publiku artdashës shqiptar anembanë botës.

Në këtë ditë të veçantë për ikonën e filmit dhe teatrit, kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri një vizitë surprizë, ku i tha se edhe ai feston 41-vjetorin në të njëjtën ditë.

Erion Veliaj vendosi ta surprizojë aktoren duke e vizituar në shtëpi, për t’i uruar ditëlindjen njëri-tjetrit.

Me një tufë me lule në duar, ai shkoi në shtëpinë e një prej simboleve të artit shqiptar, dhe i uroi asaj jetë të gjatë.

Këtë ditëlindje artistja e madhe e festoi në shtëpinë e rikonstruktuar pas dëmtimit që pësoi nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Duke qenë se edhe ai kishte ditëlindjen, aktorja i dhuroi një pikturë kryebashkiakut Veliaj, i cili i premtoi se do e vendoste në zyrën e tij.

“Është marrë në Gjenevë. Mua ma kanë dedikuar, por unë po ta dedikoj me gjithë zemër ty”, tha Tinka Kurti.

Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë të Bosnjës, nga një baba shqiptar me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës dhe nga një nënë hungareze.

Nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. E suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”.

Tinka Kurti ka interpretuar në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar “Tana”, më 1958. Ishte ajo dhe brezi i saj i artë që e ngritën artin shqiptar nga themelet, në një periudhë të vështirë të historisë sonë. /a.m/NOA.al