Transmetuar më 16-12-2020, 10:14

Donte ta shkatërronte fizikisht dhe gjithashtu profesionalisht, sepse u konsiderua një gjë "e turpshme" për shkak të homoseksualitetit të tij. Ky ishte motivi i pabesueshëm që e shtyu një burrë të punësonte një bandit për të ndëshkuar djalin e tij.

Viktima, një kirurg i njohur nga Torino, duhej të rrihej, por ka shpëtuar pikërisht nga vetë banditi që e paralajmëroi. Historia përfundoi në gjyq dhe u mbyll me një marrëveshje dy-vjeçare me pranimin e fajit nga ana e babait.

Historinë e tregon vetë protagonisti, një profesionist 40-vjeçar, kirurg, i cili në gazetën "La Stampa" përshkroi tre vitet e fundit të tmerrshme të jetës së tij.

Në fund të vitit 2016, mjeku shkon në shtëpinë e prindërve dhe prezanton partnerin e tij, duke njoftuar familjarët se ishte homoseksual.

Një ngjarje që duket se pranohet nga të gjithë. Por më pas ndodh diçka që ndryshon letrat në tryezë. Në vitin 2017, dolën disa foto në një revistë të njohur "gossip", që përshkruanin kirurgun nën shoqërinë e një aktori të njohur në një plazh francez.

Babait i ikën mendja. Dhe ai fillon të diskutojë dhe të jetë i dhunshëm me të në shtëpi. Aq sa gruaja e tij, pas 42 vitesh martesë, vendos ta lërë atë.

I pari që sulmohet është shoqëruesi i protagonistit të historisë. Pastaj, një ditë, kirurgut i afrohet jashtë shtëpisë një i huaj.

Ai rezulton të jetë një kriminel i punësuar nga babai i tij, me detyrën e "thyerjes së duarve" për t’i prishur karrierën.

Por krimineli, i kapur nga një dyshim moral ("ju dukeni si një person i mirë" – i tha ai), e paralajmëron për atë që babai i tij ka bërë dhe bën sikur e sulmon dhe dhunon fizikisht.

Ai nuk dëshironte të hiqte dorë nga 2,500 € të premtuara për rrahjen. Dhe kirurgu nuk është menduar dy herë, por denoncon në polici.

Babë e bir nuk flasin më me njëri-tjetrin, përveçse përmes avokatëve. Mjeku nuk do ta falë babanë për shkak të dhunës që kishte pësuar edhe nëna e tij.

Një familje mbase e shkatërruar nga xhelozia, nga zilia që ndieu prindi kur pa fëmijën e tij të arrinte pavarësinë e tij shoqërore dhe ekonomike. Mbase e mposhti atë në gjithçka, mbase nuk ishte më nën kontrollin e tij. /e.a/noa.al/