Transmetuar më 15-12-2020, 16:12

OPINION nga Ermal Mulosmani

Sapo erdhi nga Amerika, Edi Rama doli përpara kameras dhe regjistroi fjalën e tij mbi vrasjen e Klodian Rashës.

I vendosur mes Skënderbeut dhe Flamurit Kombëtar, ai e filloi me një tonalitet të ulët e ndjesëkërkues mesazhin e tij. I pamësuar ta dëgjoja ashtu, të njëjtrajtshëm, zë e kokë ulur, isha mjaft kurioz të shihja se sa do të zgjaste në këtë mënyrë, pa epitete sharëse e denigruese.

Në sekondën e 35 të fjalimit të tij Edi Rama tha:

“Kështu ky mesazh nuk do linte të paprekur edhe ngjarjet e dhunshme të pasdites së djeshme të cilat nga tragjedia morën sebepin për tu shpalosur me të gjithë vulgaritetin brutal të frymëzuesve të tyre”.

Kaq i zgjati përulja e ndjesa, 35 sekonda.

Kryeministri kishte përfunduar hetimet e protestës në avion dhe, përveç pjesëmarrësve, kishte gjetur edhe frymëzuesit e tyre!

Qysh nga ai moment e deri në fund të fjalës së tij 19 minutëshe, zëri filloi të çirret, fytyra t’i ngërdheshet, vetullat të ngrihen e të ulen në varësi të nivelit të sharjeve, gishti t’i drejtohej kameras, duart të interpretonin fjalët, trupi të lëvizë si në një pantomimë urrejtjeje dhe shpagimi. Asgjë nuk ishte më normale, gjithçka po kthehej në sureale.

Plastika aktoriale dhe zëri, veçanërisht zëri përbuzës, ndaj gjithkujt përveç të vrarit, ishte mbresëlënës. Teknologët e imazhit siç duket e kanë këshilluar të përdorë zërin e ulët, shumë poshtë por me grimasën e përqeshjes ndaj dhunës së kundërshtarit dhe durimit spartan të tij. Një viktimë e përjetshme e llumit anadollak që synon ta tërheqë drejt vetes por ky nuk dorëzohet në shërbim të misionit modernizues që i ka vënë vetes.

Është e jashtëzakonshme aftësia prej prestidigjatori e Kryeminsitrit për të kaluar situatën në favor të tij duke pushtuar dhunshëm kështjellën e viktimës dhe u bërë njësh me të. Madje edhe kur shteti të cilin ai udhëheq ka vrarë pas shpine qytetarët e tij. Ai bëhet me qytetarët që ka vrarë kundër konspiracionit botëror kundër tij.

Në fund të asaj logoreje të paturpshme pata ndjesinë se isha fajtor për vrasjen e Klodianit. Isha gati t’i kërkoja ndjesë Kryeministrit për fajësinë time të kamufluar me gjumin e thellë të asaj nate të trishtë.

Përtej ironisë, ajo fjalë e Edi Ramës, si përfaqësuesi më i lartë i vrasësit-shtet, ishin gjëja më e pakuptimtë që kisha dëgjuar ndonjëherë!

Në një moment tragjik si ky, ku shteti vrasës ka tejkaluar çdo kufi të pranueshëm, një Kryeministër normal pritej të thoshte pak a shumë:

“Në emër të shtetit shqiptar u kërkoj ndjesë të thellë qytetarëve të këtij vendi për vrasjen skandaloze të njërit prej tyre . Ministri i Brendshëm ka dhënë  dorëheqje të parevokueshme dhe përveç hetimeve që do bëjë Drejtësia për gjetjen e shkaqeve të vrasjes dhe dënimin e autorit, edhe qeveria do të reflektojë thellë e do nxjerrë mësime nga ky akt barbar për të ardhmen.”

Pastaj kokëulur të largohej.

Populli ka nevojë për një ndjesë të tillë kur përfaqësuesit e shtetit, me armën e shtetin, vrasin bijtë e tij. Ka nevojë, qoftë edhe një herë të vetme, për ndjesë pa “por” nga mbrapa.

Mirëpo nëse do bënte ashtu nuk do ishte mujshari Edi Rama.

**********

Përpjekjet e Kryeministrit dhe pasuesve të tij- spin doktorë të medias– për të përbuzur e nënçmuar protestën për vrasjen e Klodian Rashës, për identifikimin e saj me epitete alabake e vandale, konspiracionet me Pëdëra e LSI-ra, me Stresi e me Noizy, janë në fakt  përbuzje për vrasjen e Klodianit të ngratë. Është e tillë edhe përdorja që i bëhet babait të Klodianit apo familjarëve të tij që distancohen nga protesta.

Në një protestë – revoltë, instiktive, frelëshuar gjërat mund të dalin jashtë kontrolli. Mundet që protestuesit të djegin, të vrasin, të shkatërrojnë gjithçka u del përpara. Mirëpo për të kontrolluar këtë sjellje është shteti, forcat e rendit publik. Nëse protesta ka dimensione të tilla sa shteti e ka të pamundur të mbrojë institucionet, atëherë ky shtet ka marrë fund. Ato paguhen pikërisht për një ditë të tillë e jo për të vrarë natën e prapa krahëve.

Pse shteti nuk e mbrojti pronën tonë publike? Pse nuk qëndruan policët përpara pemëve zbukuruese, ndërtesave qeveritare apo politike, semaforëve, tabelave etj por pritën me një durim të admirueshëm që instiktet e urrejtjes të çliroheshin në mënyrë barbare e pastaj, në darkën e çakejve të studiove të etiketoheshin vandalë, alabakë e huliganë, të vulgarizohet protesta dhe shpirti i saj?

Sepse Kryeministrit dhe qeveritarëve u interesonte kjo lloj sjelljeje që të etiketonin kundërshtarët politikë si barbarë që po organizonin djegien dhe shkatërrimet, për të vazhduar me diferencimet racore mes “nesh” dhe “atyre”, “orientalëve anadollakë” dhe “oksidentalëve qytetarë” me të gjitha fuqitë e tyre propagandistike, që nga kryedemagogu e deri te gjynafqarët e medias që keqtrajtohen padrejtësisht si frrokçupi.

Kryeministri fyeu sensin tonë të protestës duke ia dhënë pronësinë e saj dikujt. Nëse Lulzim Basha apo Ilir Meta janë në gjendje të frymëzojnë të rinj 13-20 vjeçarë të shkojnë në luftë me policinë, gazin lotësjellës, dhunën barbare dhe burgosjen, qoftë edhe 24 orëshe, atëherë, punët e Kryeministrit janë shumë keq. Por unë besoj se nuk është kështu. Këtë radhë të paktën.

Ata djem që përplasen çdo ditë me policinë, luftojnë, shkatërrojnë çirren për drejtësi në emër të jetës, janë nervi jonë i squllur, zëri i ndërgjegjes sonë të sterruar nga frika, propaganda apo injoranca./a.m/NOA.al