Transmetuar më 11-12-2020, 21:51

Nga Erion Kristo

Nëse shëtisni rrugëve të Tiranës, ose nga liqeni, dhe nuk ndjeni një erë të rëndë, kjo tregon se jeni me kovid. Është era e rëndë e hashashit.  Tashmë, përdoruesit e hashashit kanë kaluar në imponim. Është e vërtetë, plot njerëz iu gëzuan drogës dhe e përhapën me të madhe ndër shqiptarët.

E ofruan atë si zgjidhjen e reale të problemeve të tyre ekonomike. Por është gënjeshtër. Një gënjeshtër që nuk zgjati shumë. Farat dhe mielli u bënë llaë, llaçi u bë beton, betoni u bë pallat, dhe pallatet po na marrin frymën. Shqiptarët mbollën erë e korrën furtunë, mbollën drogë e korrën dhunë. U shtuan të vrarët për punë pazaresh. U shtuan të dënuarit në të katër anët e burgjeve të Evropës. Nga një punë e fshehtë për pak njerëz, u bë model shoqëror.

Një model i pëlqyer kuptohet. Makina me cilindrata të mëdha, mise brenda në makina, shtëpi e vila me pishina, por dhe me festa mjerane nëpër burgjet e Europës. Çdo medalje ka dy anë. Joshje dhe zhgënjim. Sukses dhe dështim. Gënjeshtër dhe dëshpërim. Kjo ishte droga për ne. Pa le pastaj kur flasim për legalizimin. Janë ndarë partitë. Ca e duan dhe ca se duan.  Ca janë të prerë, të shëron, e ca që të shkatërron. Një pjesë thonë s’ka ardhur koha, një pjesë tjetër thonë s’kemi shtet.

Epo kur vjen puna te të ngrënat, e shikojmë që na mungojnë hudhrat. Hudhrat na vijnë nga Kina.  Nuk mbjell njëri hudhra. Kur vjen puna te mjalti, mjalti është fals. Sepse bletët çoroditen. Është e vështirë t’i flasësh një shoqërie që hëm i ha e hëm i djeg. Është e tmerrshme kur njerëzit shohin një bimë gjatoshe si shpëtimtare bukuroshe. Ajo t’i merr mendtë e t’i kthen vetëm kur përplasesh në qelitë e ftohta të burgjeve. Kuptohet bosat, ata nuk preken kurrë. Ata blejnë karrige parlamentare dhe fusin të dashurat e tyre në administratën shtetërore. Dhe sundimi vazhdon. Sundimi i injorancës./a.m/NOA.al