Transmetuar më 06-12-2020, 17:55

Covid shton rastet e infektimeve, ndërsa vendi fqinj ashpërson masat në kufi.

Qeveria greke ka ashpërsuar sërish masat për qytetarët shqiptarë që kërkojnë të shkojnë në Greqi nga Kakavija, për këtë herë do të penalizohen ata që do të rezultojnë pozitiv me Covid.

Në fakt, që pas izolimit ka pasur një rregull bazë, që për të kaluar kufirin për në Greqi duhet të kesh rezultatet e analizave Covid, por sipas vendimit të ri, duket se Greqia dyshon te falsifikimi i tyre.

Kështu, duke filluar nga dita e hënë qytetarët që do të dalin pozitiv në testet e shpejta dhe ato PCR nuk do t’u lejohet hyrja në territorin helen.

Gjithashtu, do të ketë edhe gjoba për personat e prekur me Covid-19, nëse tentojnë të hynë ilegalisht në Greqi.

Deri më tani personat që dilnin pozitiv në kontrollet e palës greke ne Kakavijë karantinoheshin 14 ditë. Pas ditës së hënë ata nuk do të mund të hyjnë dot në Greqi, madje paralajmërohet se do të ndëshkohen.

Që nga hapja e kufirit me Shqipërinë në fillim të majit, qeveria greke nuk ka arritur të vendosë një sërë masash thelbësore.

“Në intervale të rregullta qeveria merr vendime disa prej të cilave janë të vështira për t’u zbatuar dhe krijojnë probleme serioze në udhëtime”, thuhet në njoftimin e palës greke për mediat helene. /a.m/NOA.al