Transmetuar më 30-11-2020, 19:49

Nga Dr. Gentian Çala*

Shumëkush mund të pyes se a mund të ketë një shpjegim për vetëvrasjet te spitali Covid 2 apo “Shefqet Ndroqi”, përveç rastësisë që disa ngjarje mund të ndodhin në të njëjtin vend?!

Unë nuk jam një njohës i mirë i strukturës së këtij institucioni, stafit, procedurave apo kushteve të punës atje, por do të mundohem të ngre një hipotezë se si e shoh unë, jo si një përpjekie gjykuese, por ndriçuese me qëllim për ti parandaluar ato në të ardhmen.

Për këtë analizë do të shfrytëzoj informacionet e dhëna nga rastet e ndodhura apo deklarimet e profesionistëve, të familjarëve dhe të pacientëve, duke bërë më pas disa deduksione.

Në këtë analizë nuk po përfshij elementët individualë psikologjikë dhe biologjikë (tejet përcaktues për aktet e vetëvrasjes), por kryesisht ato rrethanorë.

Së pari, struktura e spitalit Covid 2 është e veçuar nga spitalet e tjera, si p.sh. në rastin e Covid 1, ku qasja për konsulta ndërdisiplinare është më e lehtë. Pra, siguria e pacientëve ka të bëjë edhe me vendodhjen e strukturës. Të qenit i veçuar krijon ndijesinë imagjinate të shkëputjes ose të refuzimit nga të tjerët.

Së dyti, pacientët e veçuar pavarësisht prej kontakteve online me telefon me familjarët, jetojnë në një realitet sfidues midis frikërave ekzistenciale dhe mundësive të pakta të ventilimit të tyre. Kontaktet me stafin që kujdeset për ta janë kryesisht formale dhe të orientuara te menaxhimi i sëmundjes trupore. Ngarkesa e punës redukton mundësinë e kontakteve sociale me një staf të lodhur dhe mbingarkuar. Raport mjek-infermier-pacient janë larg atyre të një standarti të artë: gjendja aktuale është 1 mjek kujdeset për 15-20 pacientë, kurse 1 infermier për 12-13 pacientë (të cilët duhet ti mjekojë apo ti higjenizojë), ndërsa do të duhej që 1 mjek të kujdesej për 5 pacientë apo të kishte 1 infermier për çdo pacient. Duhet të dini se këto raporte janë akoma më të ulëta gjatë orëve të natës.

Së treti, profesionistët e shëndetit mendor të atashuar në spitalin Covid 2 mund të jenë në numër të vogël për të vlerësuar nevojat e një numri të madh pacientësh dhe duhen marrë në konsideratë supervizioni apo nevojat e tyre, pasi vetë ata mund të kenë frikërat apo kufizimet e tyre në kujdesin ndaj pacientëve.

Së katërti, një ndër faktorët stresues mund të jenë zhurmat e pajisjeve. Nëse objekti ka strukturë të dobët në izolimin e zhurmave, puna e aparaturave për 24 orë pa u ndalur mund të jetë një faktor jo pak i rëndësishëm stresues. Duhet të kemi parasysh se pacientët, posaçërisht ata të moshuar mund të pësojnë delirium për shkak të: sëmundjes dhe komplikacioneve të saj, të medikamenteve apo zhurmave, i cili shoqërohet me rrezik të shtuar të kalimit në aktet e vetëflijimit.

Së pesti, mediatizimi i modelit të vetëvrasjes është një strategji që mund të shërbejë si “model” për shumë pacientë të cilët mund te kenë faktorë rreziku për akte të vetëvrasjes. Ndodhja e tyre në të njëjtën strukturë shpjegohet me “modelin”. P.sh. ka shumë vende në botë, kryesisht ura apo ndërtesa të cilat përdoren për këtë qëllim dhe numërojnë shumë raste të tilla. Kur kjo ndodh, duhen marrë masa mbrojtëse brenda në objekt ose rreth tij që e pamundësojnë vetëvrasjen ose e zvogëlojnë atë.

Së gjashti, kujdesi i diferencuar nënkupton që pacientët me faktorë rreziku për vetëvrasje kanë monitorim të posaçëm, më nga afër, posaçërisht gjatë orëve të natës. Monitorimi i rrezikut sucidal duhet të jetë pjesë përbërëse e vlerësimit të çdo pacienti, jo vetëm në hyrje në spital, por edhe gjatë dinamikës së trajtimit.

Nuk e di nëse kjo ka ndodhur te Covid 2, por nga informacionet e dhëna deri tani duket se kjo nuk ka ndodhur.Së shtati, kalimi i gjetjes së përgjegjësisë te hetimet e organeve të zbatimit të ligjit, duket si dorëzim i një çështje mjekësore dhe menaxheriale te organe që nuk mund të ofrojnë zgjidhje në parandalim, ndaj duhet që drejtuesit të diskutojnë mes tyre dhe me profesionistë të disiplinave të tjera për gjetjen e strategjive që parandalojnë vetëvrasjet. Unë e di shumë mirë që vetëvrasjet mund të ndodhin kudo, madje edhe në struktura të specializuara për probleme të shëndetit mendor, por parandalimi i tyre është përgjegjësi e stafeve që menaxhojnë këto struktura.

Në fillim të shkrimit unë po flisja për rastësinë, por a duhet ta thjeshtojmë vetëm përmes këtij arsyetimi?! Besoj se Covid-19 është diçka me të cilën po ndeshemi dhe po mësojmë njëkohësisht. Autopsia psikologjike e vetëvrasjes ndihmon në të kuptuarin e shkaktarëve individualë.

Analiza na ndihmon të kuptojmë se çfarë ndodh dhe të marrim masat e duhura parandaluese. Kur kemi bërë atë që duhet dhe nuk ia kemi dalë të shpëtojmë një jetë, të gjithë do tē ndihemi më të qetë, stafe shëndetësore, familjarë dhe opinion publik sepse thjesht bëmë më të mirën, por nuk mundëm.

*Dr. Gentian Çala, Mjek psikiatër