Transmetuar më 29-11-2020, 14:27

Vala e dytë e pandemisë sa vjen e po pëson rritje dita-ditës në vend. Rastet e shumta të infektimeve, por edhe të vdekjeve, kanë rritur bilancin e rëndë me shifra të frikshme që nga nisja e pandemisë.

Kësisoj, nëse plotëshen kapacitetet e katër spitaleve Covid dhe ka mbingarkesë në strukturat mjekësore, autoritetet shëndetësore shqiptare kanë gati skenarë të tjerë: nga hapja e spitaleve rajonalë, deri te trajtimi në shtëpi apo dhe ngritja e strukturave në hotele e stadiume.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur për të gjithë procesin e menaxhimit të pandemisë, duke përfshirë edhe denoncimet për ezaurim të kapaciteteve spitalore.

Sipas Bratajt, në këtë moment nuk ka një mbingarkesë të tyre, por pritja në ambulancë e rasteve që presin të shtrohen në spitalet COVID, ndodh për shkak se bëhet vlerësimi i rasteve.

Ai u shpreh se, nëse në një të ardhme do kemi ezaurim të kapaciteteve do të nisë trajtimi i pacientëve kudo që ka hapësira, në shtëpi, korridore, hotele dhe stadiume, si e gjithë bota.

"Jo nuk është problem mbingarkesa tani, sepse kur na rastis një numër i madh, ne mundohemi që t’i shpërndajmë në spitalet COVID. Nuk jemi në atë pikë, – tha kreu i Shërbimit të Urgjencës Kombëtare. -Jemi akoma në skenarin 3, pra të COVID 3, do hapet i katërti, do hapen spitalet rajonale me skenarë të ndryshëm. Kur t’i mbushim të gjitha, do t’i trajtojmë edhe në ambulancë, edhe në banesë edhe nëpër korridore, hotele, stadiume, siç po bën e gjithë bota. Qytetarët do të asistohen në çdo lloj mënyre, qëllimet e tjera në këtë moment, jashtë aspektit shëndetësor, duhet vetëm të heshtin", – theksoi Brataj.

Shefi i Urgjencës, tha se që nga fillimi i pandemisë janë bërë mbi 623 mijë thirrje në urgjencë.  “Mbi 11 mijë vizita për COVID-19 janë realizuar në banesë.  Kur kam ardhur, shërbimi i Urgjencës ishte i fragmentuar. Nuk kishim kapacitetin se sa njerëz kishin nevojë për njësi mjekësore”, u shpreh ai. /e.a/noa.al/