Transmetuar më 28-11-2020, 14:38

Të gjithë emigrantët shqiptarë do të duhet që të vetëdeklarojnë adresën e tyre të banimit jashtë shtetit, në të kundërt do të penalizohen për shërbimet që do t’iu nevojiten kur të kthehen në Atdhe.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për bërjen të detyrueshme të deklarimit përcakton edhe një formular të posaçëm për këtë qëllim. Gjithçka do të bëhet “online” përmes platformës qeveritare, e-Albania.

Ky vendim i qeverisë për emigrantët vjen para zgjedhjeve të 25 prillit 2025, kur është propozuar që për herë të parë të përfshihen edhe ata në votime.

Sipas këtij vendimi, emigrantët e kanë detyrim ligjor deklarimin e adresës së tyre të banimit jashtë shtetit dhe në rast se refuzojnë ta bëjnë atë nuk do të kenë të drejtë vote apo edhe më keq, nuk do të marrin shërbime të Gjendjes Civile, siç është marrja e dokumenteve të ndryshme, përfshirë edhe pajisjen me pasaportë apo kartë identiteti.

“Shtetasit shqiptarë mbajnë përgjegjësi administrative për mospërmbushje të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës“, – thuhet në vendim e qeverisë.

Në rast të ndryshimit të adresës, emigrantët janë të detyruar që të deklarojnë vendbanimin e ri brenda 60 ditëve.

Vendimi vjen në një kohë kur ka pasur denoncime të shumta, madje edhe kohët e fundit, se shumë prej shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, sidoemos në Tiranë dhe Durrës, nuk kanë një adresë banimi.

Edhe pse janë hedhur miliona euro, që një gjë e tillë të bëhej e mundur,  shumë qytetarë thonë se nuk kanë ende një adresë të saktë, jo për shkak të mungesë së vullnetit të tyre, por sepse emrat e rrugëve ose nuk ekzistojnë, ose ndryshojnë, apo shumë lagje dhe pallate kanë mbetur pa asnjë numër identifikimi ./a.m/NOA.al