Transmetuar më 28-11-2020, 09:52

Një ditë pas një ngjarje të rëndë ku mbeti i vrarë një 23-vjeçar në Bulqizë, policia ka arrestuar edhe një 20-vjeçar, i cili lëvizte me armë zjarri, si dhe prangosi dy të tjerë për moskallëzim krimi.

Policia arrestoi 20-vjeçarin, Denion Fiku, banues në Bulqizë, i cili posedonte armët dhe dy shokët e tij nga Tirana, të cilët e shoqëronin: Sajmit Hallaçi dhe Andi Çuni, përkatësisht 24 dhe 25 vjeç.

Të riut iu gjetën të fshehura një armë zjarri automatik, një armë gjahu shotgun dhe 30 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia tha se dy të tjerët u arrestuan pasi  shoqëronin 20-vjeçarin.

Njoftimi i plotë i policisë:

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.

Gjatë operacionit policor u arrestuan dhe 2 shtetas të tjerë, për veprën penale "Moskallëzim krimi".

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë gjahu shotgun dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:

D. F., 20 vjeç, banues në Bulqizë.

Kapja e tij u bë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Sektori Dushaj”, ku ai po qarkullonte në automjet me dy shokë të tij nga Tirana.

Nga kontrolli i imtësishëm i automjetit u gjetën të fshehura një armë zjarri automatik, një armë gjahu shotgun dhe 30 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit D. F., për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë"; S. H., 24 vjeç dhe A. Ç., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me

Prokurorinë Dibër, vijojnë hetimet për zbardhjen e veprimeve që do të kryenin këta persona që u kapën duke qarkulluar me armë zjarri.

Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme./a.m/NOA.al