Transmetuar më 27-11-2020, 09:06

Një 23-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Bulqizë, por sipas policisë ngjarja dyshohet se është aksidentale.

Fillimisht i riu është dërguar drejt spitalit të Peshkopisë me shenja jete dhe më pas e kanë nisur drejt Tiranës, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Policia thotë se viktima është identifikuar si Elidon Basha. Ngjarja ka ndodhur në Njësinë Administrative Fushë Bulqizë rreth orës 23:30 minuta.

Dyshohet se i riu është qëlluar aksidentalisht nga shoku i tij, Klodian Kola, 27 vjeç, me të cilin kishin dalë bashkë për gjah.

Sipas policisë vrasja ka ndodhur “rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, ku shtetasi Klodian Kola, së bashku me shtetasin Elidon Basha, në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte".

Nga pakujdesia, dyshohet se 27-vjeçari ka plagosur shokun e tij, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.

Policia, gjeti dhe sekuestroi në vendngjarje, armën e gjahut, një elektrik dore, motomjetin me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes. /e.a/noa.al/