Transmetuar më 26-11-2020, 08:01

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico ka shpjeguar arsyet që e kanë çuar Komitetin Teknik të Ekspertëve, t’i rekomandojnë Ministrisë së Arsimit mbylljen pjesërisht të shkollave dhe alternimin e mësimit ‘online’ me atë fizik.

Ajo tha se kjo gjë është bërë për shkak të infeksioneve respiratore, duke qenë se jemi futur zyrtarisht në stinën e dimrit.

“Shkollat nuk janë vatër e nxehtë. Kjo do të thotë se fëmijët nuk janë transmetues të nivelit të lartë. Por jemi duke hyrë edhe në stinën e ftohtë. Kjo do të thotë se kemi virozat përpara. Kemi shtim të virozave, – tha Fico në ‘Open’. – Jemi futur në një periudhë shumë të ftohtë të dimrit. Në shumë spitale ka pasur shtrime të fëmijëve. Nuk ka asnjë këmbanë alarmi, por fëmijët janë shtruar në spitale. Kanë pasur simptoma të virozave stinore. Nuk është Sars-cov 2, por është një masë e marrë që të mos shkojmë drejt një infektimi”, – tha ajo.

Fico tha se skenari sesi do organizohet mësimi varet nga Ministria e Arsimit. Në media kanë qarkulluar fjalë për një javë mësim ‘online’ dhe një javë në shkollë, por kjo nuk është vendosur ende. E gjitha do të varet nga dinamika e rasteve në shkolla.

“Që në krye të herës kur u hapën shkollat, ministria garantoi të kishte një grup mësuesish zëvendësues, i vetmi problem nuk kanë qenë protokollet e sigurisë, në përgjithësi kanë qenë të mirë zbatuara, kanë qenë grumbullimet para shkollave. Ajo që kemi vendosur, është vetëm ta rekomandojmë ministrisë, sepse ne jemi mjekë, kemi thënë që duke pasur këtë lloj rrezikshmërie të shikohet mundësia e alternimit, mund të ketë vende që të vazhdojë fizikisht, mund të ketë gjimnaze që edhe pjesa e ‘online’ të jetë e lehtë, s’mund t’i themi fëmijës së klasës së parë të përdorë sistemin ‘online’ të mësimit, këto janë gjëra që do t’i vendosë ministria“, – u shpreh shefja e ISHP-së.

Nisur nga situata e rënduar e koronavirusit në vend,  ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi dje se është parë e arsyeshme që shkollat të mbyllen pjesërisht. Manastirliu u shpreh se do t’i kërkojë ministrisë së Arsimit që të përgatisë planin e mësimit të alternuar. /e.a/noa.al/