Transmetuar më 24-11-2020, 14:13

Presidenti Ilir Meta ka rikthyer për shqyrtim në Kuvend ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Sipas kreut të shtetit, ky ligj krijon hapësira për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd përgjatë procesit zgjedhor.

“Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politikë të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre”, thuhet në arsyetimet e Presidentit.

Në argumentimin e tij, presidenti konstaton: 

Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë;

Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;

Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës. /e.a/noa.al/