Transmetuar më 24-11-2020, 12:37

“Shkollat nuk do të mbyllen, janë zëra të përsëritur ato që e kërkojnë” tha ndër të tjera Kryeministri sot në një takim me mediat.

Megjithatë ai ka shtuar se vendimi për mbylljen apo hapjen e shkollave i takon autoriteteve shëndetësore. Kreu i qeverisë tha se shkollat nuk konsiderohen vatër e nxehtë, por një hapësirë që ka potencial rreziku.

“Ka zëra të përsëritur për mbylljen e shkollave. Dua të theksoj se çfarë hapet e mbyllet është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara, që kanë ekspertizën dhe detyrimin ligjor, që të marrin vendime në këtë kohë të vështirë. Sipas të gjitha të dhënave dhe orientimet e autoriteteve shkencore mjekësore, në të gjitha vendet, që ndjekim me vëmendje, shkollat nuk konsiderohen vatër e nxehtë, por një hapësirë që ka potencial rreziku. E rëndësishme është që masat të respektohen rigorozisht në çdo shkollë, siç po ndodh. Personeli drejtues e pedagogjik të jetë këmbëngulës në zbatimin e tyre, dhe nga ana tjetër – ajo që unë kam dëgjuar nga ekspertët tanë – domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër mes këtij aspekti të mbrojtjes së drejtpërdrejtë e psikologjike të fëmijëve”.

Ndërkaq, ai tha se duhet të shmangim mbingarkesën e spitaleve që trajtojnë pacientët me covid.

“Do të kërkoja ndihmën tuaj që të jemi sa më të vetëdijshëm, sepse secili ka në dorë që së bashku të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë, që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal të të gjithë atyre që janë në nevojë, dhe qoftë mbylljen e përgjithshme. Është e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar, të vetëdijesohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime për të mbrojtur shëndetin e vet, të familjes dhe të afërmve. Kështu jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar luftën e përditshme e përnatshme në vijën e zjarrit, ku trajtohen pacientët e prekur me covid dhe që kanë simptoma të rënda, si dhe për të shmangur një mbyllje që do të kishte pasoje të padëshirueshme edhe në aspektin e ekonomisë së çdo familje dhe familjes sonë të përbashkët”, deklaroi Rama.

/S. H   /NOA.al