Transmetuar më 23-11-2020, 13:17

Partia Demokratike ka denoncuar përmes ish-deputetit Enkelejd Alibeaj, koncesionin për rrugën Milot-Fier, për të cilën ai deklaron se shqiptarët do të paguajnë 17.4 euro për një udhëtim.

Alibeaj e cilësoi koncesionin si masakër financiare për qytetarët para zgjedhjeve, ndërsa u shpreh se ka vetëm një ofertues, kompaninë greke "Terna".

“Projekti 1.2 miliardë euro me të cilin Rama vjedh shqiptarët është i destinuar të dështojë, – thotë ish-deputeti i PD në një deklaratë për shtyp. – Me kushtet e vendosura nga qeveria në ikje, koncesioni është një masakër financiare për qytetarët. Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje".

Alibeaj theksoi se kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë.

"Kur shqiptarët ishin të tmerruar nga karantina, nga virusi i panjohur, kur mbi 100 mijë prej tyre humbën vendet e punës dhe bizneset falimentuan apo u dobësuan, Edi Rama dhe Belinda Balluku planifikuan t’i vjedhin edhe më shumë. Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. 17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari".

Ish-deputeti demokrat shton se behët fjalë për një korrupsion të pastër nga ana e qeverisë dhe premton se çdo aferë e tillë pak muaj para zgjedhjeve do të dështojë. /e.a/noa.al/