Transmetuar më 13-11-2020, 21:10

Ish-kryeministri dhe Ministri i Diasporës Pandeli Majko komentoi përsëri deklaratën e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas Majkos deklarata e Vuçiç, i cili tha se  “konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë”, tregon frymën politike që Serbia ka, dhe është krejtësisht e papërgjegjshme.

“Kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranoi paketën e Ahtisarit. Shteti i Serbisë deklaron si një tregtar se “si mund të pranojmë pavarësinë pa marrë gjë në këmbim” – tha Majko.

Deklarata e fundit e Vuçiç në esencë është e papërgjegjshme, – u shpreh ministri, sepse “në përgjithësi në Ballkan ngjarjet e rënda ndodhin kur nuk ka deklarata, dhe nuk besoj se do shkohet më tutje”.

“Sa i përket shqiptarëve nuk besoj se jemi të përçarë. Sherri që u konsiderua si i madh mes Haradinaj dhe Ramës u shua, s’ka më konflikt”.

“Duhet të jemi të sinqertë. Vuçiç me deklaratën që ka bërë nuk është se ka shpallur luftë, është një pohim i bërë në një moment delikat pasi ish-krerët e UÇK janë përpara Hagës sot, dhe tregon frymën politike që ai vend ka. Ne nuk kemi tjetër përveç Kosovës. Kosova sot nuk është një hapësirë tokësore pa emër, është një shtet. Ata nuk kanë tjetër përveç nesh, dhe ne nuk kemi tjetër përveç tyre”, shtoi më tej Majko.

Turqia është një nga tre aleatët strategjikë të Shqipërisë, por në datë 6 Tetor në media doli lajmi se Ankaraja do të furnizojë me dronë vrasës Serbinë. Pandeli Majko, ministri i Diasporës i ftuar në Radarin Informativ në ABC u shpreh se populli shqiptar do ta mbajë shënim këtë veprim të Turqisë.

“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike, por Turqia ka një distancë, por e konsiderojmë të afërt. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, e di, secilido e kupton se ne mbajmë shënim në marrëdhëniet shqiptare turke, kjo regjistrohet, kaq. Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” tha ai. I pyetur nëse një gjë e tillë e shqetëson, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia”.

Një pyetje që ka të bëjë me pozicionimin tonë në rajon dhe pak më gjerë edhe me aleatët tanë, ne kemi thënë se Turqia është një nga aleatët tanë në rajon, i kemi quajtur vëllezër dhe na kanë quajtur vëllezër, por ka disa ditë që ka qarkulluar një lajm që Turqia po furnizon me dronë vrasës Serbinë, tani është apo jo aleati ynë në gjithë këtë pozicionim?

Ne kemi tre marrëdhënie strategjike që kanë të bëjnë me tre fqinjët tanë të rëndësishëm, Turqia ka një distancë, por ne e konsiderojmë distancë goxha të afërt. Kemi të bëjmë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, po e dimë, secilido e kupton se ne mbajmë shënim. Në memorien e marrëdhënieve shqiptaro-turke kjo regjistrohet. Kaq.

Kjo është një deklaratë që duhet ta dëgjojnë edhe turqit?

Jo, nuk e thash për ta dëgjuar turqit, kjo është për memorien e marrëdhënieve shqiptaro-turke.

Të shqetëson fakti që Serbia po furnizohet me armatime luftarake të këtij niveli?

Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia.

Por të shqetëson fakti që në këtë kohë që po flasim në këtë kontekst ata po armatosen?

Ata po armatosen se kanë një strategji për t’u bërë një qendër vendimmarrëse, e cila në thelb nuk do të ketë të bëjë me integrimin evropian, por do të jetë një qendër destabiluzese, më të cilën Brukseli herë pas here duhet të negociojë, por jo në emër të emër të politikës serbe, por të lindjes. Kjo është arsyeja pse Beogradi ka deklaruar marrëdhënien e veçantë me Rusinë dhe Kinën. Në thelb politikanët serbë, e kanë kthyer shtetin në një kalkulim të politikës lindore.

Nëse është kështu nuk duhet të jemi kaq të qetë?

Por edhe në panik nuk duhet të jemi. Sikur kanë ata miqtë e tyre kemi edhe ne miqtë tanë.

Kush janë miqtë tanë, Turqia mesa duket nuk qenka, mesa duket po i mbajmë diçka shënim?

Më vjen shumë keq, unë thashë se do të mbetet e shkruar në memorien shqiptare turke. Kaq. Nuk thashë pse po i jep dronë vrasës Serbisë, po e shpallim armike Turqinë, kjo është e tepruar.

Keni pasur kanale diskutime me Turqinë pas këtij veprimi?

Me Greqinë kemi marrëdhënie strategjike, që akoma nuk e ka njohur Kosovën, ne shpresojmë që vizita e fundit e ministrit të Jashtëm grek në Prishtinë, është një shënim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe dhe strategjike me këtë fqinj. Me secilin mbajmë marrëdhëniet tona dhe nuk ndjekim parim që meqë jemi miq, ti duhet të bësh çfarë dua unë dhe çfarë mendoj unë.

Në rast të një konflikti të supozuar të konfliktit, nëse Serbia do të avancojë….

Unë e thashë, kur fola për marrëdhënien mes Prishtinës dhe Tiranës unë thashë ata nuk kanë tjetër përveç nesh, ne nuk kemi tjetër përveç atyre. Nuk thashë kam edhe Athinën, edhe Romën, apo një shtet tjetër. Marrëdhënia jonë është strategjike me tre shtete, Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Kemi një marrëdhënie që nuk është firmosur nga politikanët, por është firmosur në një marrëdhënie historike me SHBA. Në periudhën e luftës së Kosovës patëm një rivlerësim total të marrëdhënieve me Britaninë dhe kaq, të tjerat janë në ecje e sipër. Politikanët shqiptarë do të vijojnë të bëjnë debatin e zakonshëm që na duket një panik total para zgjedhjeve por në fakt është për të mbledhur secili votat e veta, por pas 25 prillit fillon një histori e re, kaq./a.m/NOA.al