Transmetuar më 11-11-2020, 21:01

Poeti Arben Duka i ka thurur vargje Bleona Qeretit, e cila i ka konsideruar kundërshtarët e Trump komunistë,  si dhe është tallur me emisionin e Blendi Fevziut.

Duka ka ironizuar Fevziun, për faktin se emisioni i tij është përpjekur të analizojë zgjedhjet në SHBA, përmes këngëtares Bleona Qereti, e cila është deklaruar hapur pro Trump, madje ajo i ka konsideruar ekstremistë apo komunistë kundërshtarët e tij, ndonëse Biden fitoi zgjedhjet e fundit në SHBA.

Reagimi i plotë nga Arben Duka:

“Rroftë Amerika rroftë, dhe pse u bë ‘socialiste’, dhe hallall vërtet i qoftë, se nxori një analiste”! Shkëlqeu te Fevzoja, këngëtarja me përmasa botërore frymëzon edhe Arben Dukën

“Rroftë Amerika rroftë, dhe pse u bë ‘socialiste’, dhe hallall vërtet i qoftë, se nxori një analiste”! Shkëlqeu te Fevzoja, këngëtarja me përmasa botërore frymëzon edhe Arben Dukën

Kush mendon se Bleona Qerreti di vetëm të heqë…getat, gabohet. Emisioni Opinion në TV Klan e ka përzgjedhur këngëtaren me përmasa botërore mes analistëve të ftuar për të komentuar zgjedhjet amerikane.

Kjo sepse Bleona “u kish bere thirrje shqiptareve te Miciganit” te votonin presidentin Tramp. Sipas këngëtares-analiste, tani që fitoi Biden “SH.B.A-të do behen shtet socialist dhe do bien në varësinë kineze”.

“E pabesueshme, por e vertete! Eshte normale te kesh simpati per njerin apo tjetrin, por te thuash këtë është kaq absurde!” – shkruan një komentues në lajmin e publikuar në faqen e emisionit Opinion (që është po aq i famshëm në botë sa Bleona).

“Edhe vëllezerit tanë majmune ne pyjet e Amazones u shqetesuan nga kjo deklarate bombe e te madherishmes Bleona qe po shpeton Ameriken nga socializmi” – shkruan më poshtë një tjetër.

Deklarata e analistes së Opinionit ka ngacmuar edhe poetin Arben Duka, i cili në rubrikën e tij në DITA shkruan sot:

Dikur e kam marrë në mbrojtje,

kur shumë njerëz keq e nxinë,

kur i thanë se armë të vetme,

kishte lakuriqësinë!

E dëgjova rastësisht,

kur ezber për zgjedhjet fliste,

i thashë vetes, kur Bleona,

qenka bërë dhe analiste?!

Unë e njoh me rrënjë e degë,

që pa u bërë analiste,

e di që shtëpi e saj,

ishte shtëpi socialiste!

Si duket në Amerikë,

Bleona e ndryshoi kampin,

dhe betohej se pas humbjes,

ajo do ringrinte Trampin!

Jepi-moj Bleonë-jepi,

motorin fuqishëm ndeze,

në “Amerikën socialiste”,

po me pronësi kineze!

Nëse do fitonte Bajden,

kjo do ndodhte natyrisht,

se ai-sipas Bleonës,

është veç një Anti-Krisht (!)

Bleona jonë që jeton,

sot ëndrrën amerikane,

i dërrmoi demokratët,

si super politikane!

Për fatin e Donald Trampit,

ishte gati në të qarë,

çfarë s’ka parë Amerika,

po Bleonë s’kishte parë?!

Foli shumë si kompetente,

faqe botës dënoi krimin,

se kishte këto talente,

ne shqiptarët nuk i dinim!

Rroftë Amerika rroftë,

dhe pse u bë “socialiste”,

dhe hallall vërtet i qoftë,

se nxori një analiste!

/a.m/NOA.al