Transmetuar më 07-11-2020, 17:55

Sportistët elitarë të vendit tonë janë ankuar gjithmonë për qeveritë, të majta apo të djathta, për shkak të vëmendjes së munguar ndaj sportit.

I tillë ka qenë edhe peshëngritësi i talentuar, fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare, Erkand Qerimaj.

Mes sportistëve dhe artistëve të tjerë, sot Erkand Qerimaj papritur i është bashkuar fushatës së Partisë Socialiste. Ai nuk njihet më parë as admirues i kësaj force politike, por tha sot se kryebashkiaku i Tiranës ka bërë që të ndryshojë mendim.

Erkand Qerimaj shkroi në Facebook: Falendëroj kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj për kushtet dhe trajtimin më të mirë që na ka mundësuar mua personalisht dhe sportistëve elitarë tek sport klub Tirana ! Gjithashtu një  falenderim për çdo të mirë  që ka bërë  për qytetin!”

Nga Lapraka ai u shfaq krah të Veliajt bashkë me familjen e tij të re.

Qerimaj shprehu mirënjohjen kryebashkiakut të Tiranës jo vetëm për mbështetjen që i ka dhënë sportit, por edhe për kushtet në çerdhe dhe nëpër kopshte për të më vegjlit.

Kampioni i peshëngritjes shqiptare ironizoi edhe kryebashkiaken e djathtë Voltana Ademi, teksa tha se një si Erion Veliaj i duhej Shkodrës.

“Urime për fushën e re. Gjej rastin të falenderoj kryetarin e Bashkisë për gjithë punën që ka bërë për sportin, duke bërë terrene të reja sportive, palestra të reja, dhe për ne sportistët elitarë, rritjen e trajtimeve dhe një punë shumë të mirë që normalisht edhe ne e kemi treguar me medalje dhe e kemi shpërblyer gjithë këtë përkushtim”.

“Unë edhe si prind, për këtë kam sjellë edhe djalin, për kushtet në çerdhe dhe kopshte, dhe mendoj që gjithë kjo punë që është bërë duhet të vazhdojë përsëri. Dhe jo pa qëllim i mora dhe medaljet me vete, njëra është me timon, që ta marrë timonin vetëm përsëri. Dhe sa herë shkoj në Shkodër, si shkodran që jam, them si nuk e kemi edhe ne një kryetar si Erion Veliaj, që të bëjë punë kaq të mira siç po bën në Tiranë”, u shpreh Qerimaj.