Transmetuar më 04-11-2020, 18:20

Një mbyllje e dytë si pasojë e koronavirusit do kishte pasoja të rënda për ekonominë shqiptare.

Kështu u shpreh në konferencë për mediat zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi.

Sipas saj, ekonomia ka dhënë sinjale përmirësimi pas 6 muajsh.

“Pas një rënie të fortë përgjatë 6 mujorit të parë, ekonomia është përmirësuar gjatë muajve të verës por sërish perspektiva mbetet e brishtë.

Ky rikuperim pasqyroi lehtësimin e masave të distancimit social dhe mbështetjen e siguruar nga stimuli i gjithanshëm fiskal, monetar e makroprudencial. Megjithatë, pavarësisht tendencave pozitive, perspektiva e rikuperimit të ekonomisë në të ardhmen mbetet ende e brishtë.

Vala e re e infektimeve dhe prezantimi i masave kufizuese në shumë vende, e potencialisht dhe në Shqipëri, paraqesin sfida serioze për shëndetin publik dhe për ecurinë e ekonomisë gjatë periudhës në vijim”, tha Minxhozi.

Ndërkaq, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se vala e re e infektimeve dhe kufizimeve paraqesin sfida serioze për vazhdimësinë. /k.k/noa.al/