Transmetuar më 30-10-2020, 11:49

21-vjeçari tunizian Brahim Aoussaoui, autor i sulmit të enjten në mëngjes në katedralen e Nisës, i kishte thënë vëllait të tij, i cili jeton në Tunizi, se ai "dëshironte të kalonte natën para bazilikës" dhe i kishte dërguar atij një foto të kishës. Familja konfirmoi identitetin e djalit: "Ai që pamë në imazhe është djali ynë".

21-vjeçari, i cili zbarkoi në Lampedusa dhe më pas u identifikua në Bari më 9 tetor, kishte vendosur kohët e fundit kontakte me familjen e tij. "Ai më telefonoi sapo arriti në Francë", tha nëna e tij.

Tunizia ka dënuar ashpër sulmin terrorist dhe prokurori antiterror i kryeqytetit ka hapur një hetim për të sqaruar kontaktet dhe jetën e Aoussaoui në Tunizi. Disa anëtarë të familjes tashmë janë dëgjuar nga hetuesit.

"Franca është në luftë. Ne jemi në luftë si me një armik të brendshëm ashtu edhe me atë të jashtëm. Ne jemi në luftë me ideologjinë islamike."

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, pas sulmit në bazilikën Notre Dame në Nisë, ku tre persona humbën jetën. "Islamizmi është një formë e fashizmit në shekullin 21, një ekstremizëm që ne duhet ta luftojmë," shtoi ai. /NOA/