Transmetuar më 29-10-2020, 22:14

Në kulmin e trazirave të ashpra që kanë përfshirë Turqinë dhe Greqinë e nga ana tjetër përfshirjen në debate të forta të Erdoğan me Makron për ngjarjet e Francës dhe me Shtëpinë e Bardhë për raketat ruse që Ankaraja ka blerë, një banderolë gjigante elektronike u shfaq sonte në qendër të Tiranës, si kujtesë për festën kombëtare turke. Kjo festë vjen paralelisht me festën kombëtare të Greqisë.

Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, ndërtesa e Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” është ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Turqisë dhe flamurit të Shqipërisë.

Media shtetërore turke i dha jehonë këtij zhvillimi duke theksuar se ndriçimi i godinës së universitetit me rastin e 29 Tetorit është organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë. Sigurisht që kjo u bë me lejen e autoriteteve shqiptare.

Nga ana tjetër Greqia që prej 26 tetorit e deri sot ka një varg festash të rëndësishme duke nisur me 26 tetorin që shënon eposi grek në çlirimin e vendit, 27 tetorin, ditën e Flamurit grek, 28 tetorin Ditën Kombëtare të Greqisë, etj.

Ambasada greke u mjaftua të zhvillojë një përkujtimore të cilën njoftoi sot se e kreu në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë.

Ndërsa Turqia shkoi më larg duke "pushtuar" qendrën e Tiranës me mbulimin e godinës kryesore universitare me ngjyrat e flamurit turk.

Disa thonë se ky demonstrim që bëri sonte Turqia në mes të Tiranës, mund të shihet si provokim në kushtet kur Ankaraja gjendet në mes të një përfshirjeje agresive me BE dhe SHBA.

Me Greqinë, Turqia është ndezur në luftë të ashpër prej disa javësh teksa u fut në ujërat detare pranë fqinjëve për kërkime nën ujë.

Pas trazirave në Francë, Erdoğan e cilësoi presidentin Makron si të luhatur mendërisht.

Ndërsa me SHBA, konflikti është edhe më serioz. Turqia ka blerë raketa ajrore luftarake nga Turqia, duke sjellë reagim të ashpër nga SHBA që e quajti tradhti ndaj NATO-s dhe partnerëve. Më tej SHBA kërkoi të ndalej çdo veprim me këto raketa. Përgjigjja e Erdoğan ishte tepër e guximshme, duke treguar moskokëçarje ndaj sanksioneve që Amerika paralajmëroi se mund të vendosë.

Shqiptarët në këtë mes duken të jenë të pambrojtur dhe të pasigurt nga gjithë këto zhvillime. Ndërsa vendi pret me ankth të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kjo po duket gjithnjë dhe më e largët, po aq sa ç’është dhe për Turqinë e largët dita e anëtarësimit, edhe pse negociatat i janë çelur shumë vite më parë.

Në kushtet kur vendi ynë është republikë e pavarur, vend laik dhe aspirues për BE, demonstrime të tilla shihen si të panevojshme dhe mund të lexohen nga palët si mbështetje që Shqipëria i jep Turqisë në gjithë këtë vorbull ku ajo është futur duke u përplasur fort me BE dhe SHBA. Në të tilla rrethana, Tirana zyrtare mund të ndiqte rrugën më të thjeshtë,  qëndrimin neutral. /noa.al/

Fotot: Anadolli Ajans