Transmetuar më 29-10-2020, 16:19

Në të gjithë vendin aktualisht janë 500 vatra aktive koronavirusi dhe ato nuk po shuhen, por në të kundërt po zgjerohen. Kjo po ndodh për dy arsye, së pari nga papërgjegjshmëria e shtetit që u ka bërë tamponë vetëm atyre që kanë simptoma Covidi e duke refuzuar tua bëjë familjarëve dhe të afërmve nëse nuk kanë simptoma.

Në këtë mënyrë, në vend që të ndërpritet zinxhiri i transmetimit, ai përhapet edhe më shumë.

Së dyti, njerëzit në masë të madhe tregohen të papërgjegjshëm ose mospërfillës ndaj ruajtjes së distancës fizike dhe maskës.

Por ku janë këto vatra aktive. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Prof. Mira Rakacolli në një komunikim publik pohoi sot se dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë dhe se aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend.

Ajo pohoi se 35% e vatrave jane perqendruar ne Tiranë. E një vatër e nxehtë sipas KTE është zona e ish Bllokur. Prandaj Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljn e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e  shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Mjeku Pëllumb Piero shton se vatra kryesore e përhapjes së virusit është familja, qëndrimi i tyre te baret e lokalet, pra vendet ku njerëzit janë më pranë njëri-tjetrit.

“Vatër kryesore e përhapjes së virusit është familja, baret, restorantet. I sugjerova që atëherë komitetit të ekspertëve që të shqyrtonin fashën e orareve për lokalet", thotë ish drejtori i Institutit të Shëndetit Publik.

noa.al/