Transmetuar më 29-10-2020, 16:03

Më 16 janar të këtij viti, një ndër aktorët më famshëm të kinematografisë shqiptare, Xhevdet Ferri, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare.

Në një bashkëbisedim me ndjekësit në Instagram vajza e Xhevdet Ferrit ka folur për përvojën, që ka kaluar si e prekur nga Covid-19, duke treguar se edhe e ëma është prekur nga virusi.

Vajza e tij, Bora, e cila tha se edhe ajo e kaloi me sukses virusin, sikurse e ëma ndonëse kjo e fundit me më shumë probleme, ngriti dyshime se edhe i ati i cili ndërroi jetë muaj më parë, ka pasur simptoma të ngjashme. Kështu ajo ka ngritur dyshime se virusi mund të ketë ekzistuar shumë më herët se rasti i parë që u regjistrua zyrtarisht në vendin tonë.

“Të them të vërtetën nuk i kuptoj këta njerëz të cilët nuk besojnë akoma se ky virus ekziston ose nuk është për debat. Kjo gjë është reale. Unë isha shumë me fat që kam kaluar simptoma të lehta, të cila ishin disa dhimbje shpine dhe ethe. Mamaja ime e kaloi më keq dhe përfundoi në terapi me oksigjen”.

Bora tregoi edhe rastin e të atit, aktorit të madh Xhevdet Feri, i cili ndërroi jetë në fillim të këtij viti.

Aktori humbi betejën me një sëmundje të pashërueshme ndërsa e bija, Bora, ka treguar asokohe mes pikëllimit sëmundjen e të atit si dhe ka shpjeguar pse kishin vendosur të mos mbanin homazhe.

Janë bërë tashmë nëntë muaj nga humbja e aktorit dhe Bora ka bërë së fundmi një deklaratë kontradiktore me të parën, duke na tronditur të gjithëve.

“Kam humbur babain nga simptomat e hershme të Covid-19 këtë vit. Ai ishte 59-vjeç dhe një njeri fantastik. Njerëzit janë të lirë të mos besojnë. Unë uroj që asnjë prej të afërmëve të tyre mos ta kalojë këtë gjë. Është e frikshme, e zymtë dhe shumë e dhimbshme”.

Kujtojmë se rastet e para të identifikuara sipas ISHP dhe MSH i përkasin 9 marsit, pra 2 muaj pas vdekjes së aktorit. Në këto kushte deklarata e Borës ngre pikëpyetje të mëdha, por nuk dimë të themi me siguri shkakun e ndarjes së tij nga jeta.

Xhevdet Ferri lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student, ndërsa i fundit ishte filmi “Delegacioni”.

Roli më i njohur për publikun është ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika. Ferri ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër.

/NOA.al