Transmetuar më 29-10-2020, 15:57

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka kërkuar që qeveria të anulojë vendimin për rihapjen e universiteteve më 2 nëntor.

Ermira Racakolli, kryetare e këtij Komiteti tha pak më parë se në mbledhjen e sapo përfunduar unanimisht u vendos të kërkohet që për të paktën një muaj të mos ketë hapje të shkollave të larta.

Ajo saktësoi se mësimi në universitetet do të bëhet vetëm online.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Prof. Mira Rakacolli bëri publik vendimin e marrë unanimisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për zhvillimin e mësimit online nga strukturat universitare.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situaten dhe risqet, kemi vleresuar situaten në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezenceë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Ndërkohë ky komitet ka kërkuar që të mbyllen lokalet në zonën e ish Bllokut çdo ditë në orën 22.00.

Racakolli saktësoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljn e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Njëkohesisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e  shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit. "Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.

/noa.al/