Transmetuar më 29-10-2020, 14:58

Rëndohet pozita penale për Blendi Tetën, i arrestuar në lidhje me vrasjen e Santiago Malkos në gusht të vitit 2019. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që të ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim” në “vrasje për hakmarrje”.

Të pandehurit i është dhënë 10 ditë kohë për të bërë kundërshtimet me ndryshimin e cilësimit të veprës penale. Vetë Teta nuk ka qenë i pranishëm në seancë. Seanca e radhës është caktuar në datën 3 nëntor.

Teta është i vetmi person i arrestuar në lidhje me vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ky i fundit u ekzekutua në Tiranë mbrëmjen e 27 gushtit, nga persona që qëlluan në drejtim të mjetit të tij në lëvizje. Ai ishte ish-efektiv i Policisë së Shtetit, por njihej edhe si mik i Ervis Martinajt.

E kaluara problematike e Malkos, publikohet video e plagosjes ku dyshohet si autor

Santiago Malko, ish-efektivi i Policisë i cili u ekzekutua më 27 gusht brenda makinës së tij, ishte i dyshuar si i përfshirë në vepra të ndryshme penale. Një ndër to, ka qenë edhe një ngjarje në vitin 2018, në zonën e ish-Kinostudios, ku mbetën të plagosur dy vëllezër, Juxhin dhe Rivelino Mumajesi. Ngjarja është ende pa autor, por Malko është i dyshuari kryesor.

Në një video që A2 zotëron, shihet se si dy vëllezërit plagosen në hyrje të një lokali, pasi dikush nga rruga qëllon mbi ta. Të dy personat janë të paarmatosur dhe siç shihet në video, hedhin karrige në drejtim të rrugës për t’u mbrojtur. Njëri prej tyre shtrihet në tokë pas plagosjes në bark, ndërsa tjetri është i plagosur në këmbë.

Malko ka qenë edhe herë të tjera protagonist i kronikave, si në vitin 2016, kur në rrugën “Islam Alla” në Tiranë ka pasur një konflikt me disa persona që zotëronin një pikë basti, dyshohet për një borxh, ku në acarim e sipër ai kishte tentuar t’i godasë me pistoletë. Malko njihej edhe si mik i Ervis Martinajt, një nga protagonistët e vrasjes së bujshme në Bllok, madje ishte filmuar si i pranishëm në afërsi të skenës së krimit ku si pasojë u vra Fabian Gaxha, dhe ndërkohë  u plagosën Eljon Hato dhe vetë Ervis Martinaj.

Për shkak të përfshirjes së tij në disa ngjarje, hetuesit mendojnë se vrasja e tij ishte e porositur dhe e mirë organizuar. Deri tani, për vrasjen e babait të dy fëmijëve, janë shpallur në këriim 8 persona: Leonard Duka, 33 vjeç; Erlis Duka, 29 vjeç; Ilir Selmani, 34 vjeç; Oltian Loga, 38 vjeç; Dritan Agaj, 38 vjeç; Fatmir Hyseni Musai, 42 vjeç Aleksdandër Maxhaku, 37 vjeç; Xhoni Nica, 24 vjeç. Ndërsa Blendi Teta, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi” dhe “pengim në zbulimin e së vërtetës, është lënë në burg.