Transmetuar më 29-10-2020, 07:25

Tre minatorët që nuk gjendeshin dje, pas kërkimeve disaorëshe për fat të keq kanë humbur jetën.

Policia foli zyrtarisht për ngjarjen e mbrëmshme ku tre shtetas që punonin në minierën e "Balgjaj", Selishtë, kishin humbur kontaktet me familjen.

Ajo tha se rreth orës 03:00 të ditës së sotme, në thellësi të minierës në Selishtë, nga ana e grupit avari- shpëtimit, u gjetën trupat e pajetë të shtetasve.

Të ndjerët janë I. H., 64 vjeç, banues në Peshkopi,  F. Ç., 55 vjeç, banues në Bulqizë dhe R. R., 33 vjeç, banues në Bulqizë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazrat e minierës.

Më herët u bë e ditur se një inxhinier dhe dy punëtorë, të cilët kanë qenë duke punuar në minierën ‘Balgjaj’, në Selishtë të Dibrës, kanë humbur kontaktet.

Sipas policisë, dyshohet se 3 personat mund të kenë mbetur të bllokuar në galerin e minierës. Dje në dhomën e ndërrimit janë gjetur sendet e tyre personale. Personat që dyshohet se kanë mbetur në galeri janë I.H., rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere, si dhe 2 punëtorët.

“Me datë 28.10.2020, rreth orës 18:15,  shtetasi S. H., ka telefonuar Sallën Operative në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër,  se vëllai i tij shtetasi I.H., rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere, së bashku me dy punëtorë, të cilët punonin në minierën “Balgjaj”, Selishtë, Dibër, kanë humbur kontaktet me familjen. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se personat mund të kenë mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodhen në dhomën e ndërrimit”, njoftoi dje policia.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al/