Transmetuar më 28-10-2020, 11:56

Struktura e Posaçme e Prokurorisë, SPAK, ka vendosur të marrë në pyetje shtetasen Floresha Rasha një ditë pas riatdhesimit të saj nga kampi famëkeq Al Hol në Siri.

Përmes marrjes në pyetje, SPAK do të tentojë të mësojë emrat e personave që e kanë ndihmuar atë për të kaluar drejt Sirisë me gjithë fëmijën e saj.

SPAK pritet të pyes për rekrutuesit, financuesit dhe kush kanë qenë njerëzit që i kanë kaluar ata nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë. Një ditë më parë Kryeministri Rama deklaroi se kush ka kryer krim do të përballet me drejtësinë me përgjegjësi personale. Florena Rasha ishte një nga të kthyerit nga misioni i qeverisë shqiptare nga kampi Al Hol.

Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ka përfunduar ashtu. Ajo është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës , i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.

Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë, ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen. Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik.

Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, por xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.

Pas vrasjes së Diamantit, Floresha dyshohet se ka patur edhe dy fëmijë të tjerë të lindur në Siri luftëtarë të ISIS-it. /E.A./NOA.al