Transmetuar më 28-10-2020, 11:05

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Tranzit".

U kapën duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 4 shtetas, njëri prej tyre me masën "arrest në shtëpi" për veprën penale "ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".

Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri automatik dhe 153 fishekë luftarak, dy automjete dhe 4 aparate celular.

U arrestuan në flagrancë shtetasit:  Xh. B., 25 vjeç, E. B., 25 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe K. T., 25 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke transportuar në bashkëpunim me njëri – tjetrin, me mjetet tip "Ford Fiesta" dhe "Benz", 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.

Shtetasi E. B., 25 vjeç ka dalë nga banesa duke thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" të caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".

Nga kontrolli i ushtruar në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë, në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik, 5 krehra automatiku me 153 fishekë luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.