Transmetuar më 27-10-2020, 08:50

Në vitet ’80, kushdo që kalonte rrotull Bllokut në Tiranë, e shihte dhe e dinte mirë se aty jetonte mes të mirave, bollëkut të ushqimit, udhëheqja komuniste. Hanin e pinin mirë, me lekët e shtetit.

Mendoni se të hash e pish mirë me lekët e shtetit është diçka që nuk ndodh më?

Jeni gabim. Madje bollëku i ushqimit është bërë edhe më cilësor.

Ja shikoni më poshtë këtë meny që hanë ca zyrtarë shteti që marrin rrogën se mbikëqyrin aviacionin shqiptar.

Krokera, djathra nga më të ndryshmet, proshuta, shishqebapë, involtini, fileto viçi, byreku, role pule, hamburger, tartalete, e sigurisht plot ëmbëlsira.

Ky ushqim është pjesë e drekës që duhet të hanë shtatë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Aviacionit Civil pas mbledhjes që do të bëjnë sot më 27 tetor 2020, drekë që sipas njoftimit për tender do të hahet në ora 16.30. Aviacioni Civil është drejtori që varet nga Belinda Balluku që në vite ka qenë po ashtu në atë strukturë shtetërore.

Lind pyetja përse anëtarët e bordit mbikëqyrës duhet të hanë drekë pas mbledhjes dhe të mos shkojnë të hanë në shtëpitë e tyre? Jo për gjë, por edhe Covidi është sheshit dhe qeveria me akte normative nuk lejon grumbullime dhe apelon vazhdimisht që të shmangen ato.

Por një tjetër pyetje ngjall kuriozitet. Si është e mundur që kjo dreka e sotme bëhet me tender? Kaq shtrenjtë shkon kjo drekë sa i kalon limitet e shpenzimeve pa tender?

Jamarbër Malltezi, pedagog në UT ironizon këtë tender: "Boo, hallexhinj të mëdhenj tek aviacioni civil! Drekë për 7 veta mbi 2.000 euro! Se deri 2. 000 euro mund ta quanin “shpenzime të vogla” dhe e kryenin pa tender fare. Çmenduri. Duket si darka e “Gruas së Bilalit” që pagoi 70,000 USD për një darkë! “Hani derra – pini derra!”,  thekson Malltezi.

Demaskimi që bën Malltezi është vetëm një pjesë e asaj që shprehet me zemërim dhe çudi në rrjetet sociale.

E vërteta është se bordet e quajtura mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera shtetërore në vend, janë të krimbura në kosto marramendëse. Anëtarët e tyre marrin shuma të mëdha pagesash dhe benefite të tjera duke i bërë këto struktura që bëjnë ndonjëherë mbledhje, si vezë të arta për ata që kapin të tilla punë në shtet.

/noa.al/