Transmetuar më 27-10-2020, 07:34

Mbyllja ekstreme e botës që ndodhi në mars, duket se ishte testi i parë që shumë shtete i bënë popujve të tyre.

Tani duket më e thjeshtë të bësh një lockdown të dytë. Dhe Malta po e rikthen duke shpallur vendimin që të mbyllë të gjithë lokalet e vendit.

Autoritetet njoftuan se kanë marrë vendimin që për 36 ditë të jenë të mbyllura të gjitha baret e kafenetë, pra deri më 1 dhjetor kur urdhri do të rishikohet.

Zyrtarët maltezë thanë se mbyllja e lokaleve po bëhet pasi ato shihen si vatra të infektimit masiv të njerëzve me koronavirus.

Rregullat e shëndetit publik, që gjithashtu kufizojnë numrin e personave të lejuar në tubime në një maksimum prej gjashtë vetash, hyjnë në fuqi që nga e enjtja.

Kioskat dhe marketet e ushqimeve do të lejohen të qëndrojnë të hapura me kusht që të mos shesin alkool dhe të mbyllen midis orës 23:00 dhe 05:00.

Ndërsa kafeteritë, lokalet e natës, pub-et e të tjera si këto janë mbyllur plotësisht, restorantet mund të vazhdojnë të funksionojnë me kusht që jo më shumë se 10 klientë të jenë të ulur në secilën tryezë.

Kushdo që kapet duke shkelur rregullat do të gjobitet me 200 euro.

Kufizimet e reja vijnë një ditë pasi mjekët në Maltë paralajmëruan se sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit rrezikonte kolapsin, nëse shifrat e rasteve të COVID-19 nuk viheshin nën kontroll.

Malta me popullsi 441 mijë banorë, ka 5.578 të infektuar dhe 53 të vdekur. Ditët e fundit janë shtuar rastet e prekjes me Covid-19.