Transmetuar më 19-10-2020, 11:43

Gratë naftëtare i janë përgjigjur menjëherë kryeministrit Edi Rama, pasi kreu i qeverisë i ftoi që të ndërprisnin grevën dhe të flisnin “vëllazërisht”.

Gratë naftëtare thanë se vetëm të vdekura do dalin nga greva sepse edhe 2017 kryeministri u ka premtuar që do u jepte rrogat, por asnjë naftëtar nuk i ka tërhequr.

“Ta harroj kryeministri se do dalim nga greva. Këtu do vdesim. Të vijë vetë kryeministri këtu e pastaj flasim. Duam zgjidhje. Ne duam lekët e prapambetura dhe pastaj rifillimi i punës. Nuk kemi më besim. Të vijë dhe ministrja Balluku. Jam me naftëtarët thotë ai, po pse ky është reagimi, të ndërpresim grevën?”, tha një grua naftëtare.

“Deri në vdekje do rrimë këtu. Ne sytë dhe veshët te kryeministri dhe Balluku i kemi. Dhe ne që jemi këtu duam të ishim në familjet tona”, – u shpreh një tjetër.

Një grua tjetër naftëtare tha se kryeministri Rama është i mirëpritur në Ballsh, por të ketë zgjidhje.

Në të kundërt ata nuk do ta ndërpresin grevën.

“Ne nuk e ndërprëesim grevën se në 2017 Rama na tha do t’ju japim lekët. Ne lekët si kemi marrë akoma. Po të na hedhi lekët kryeministrri në rregull jemi. Ne nga kryeministri e presim zgjidhjen. Ai është i pari i vendit. Të vijë këtu, të bëjëm një takim sipas rregullave”.

Cili ishte reagimi i Ramës sot për grevistët?

“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, shkroi Rama ndër të tjera në Twitter pak minuta më parë.

Edhe një punonjës i Rafinerisë, mekanik në uzinë, tha se Rama pa zgjidhje konkrete nuk ka pse të kërkojë takim me grevistët.