Transmetuar më 16-10-2020, 22:53

Kur portalet informative në internet nisën punën e tyre heroike për të publikuar në kohë reale gjithçka ndodh në vend dhe në botë dhe kur gazetat e jepnin lajmin vetëm të nesërmen, kurse radiot e televizionet në edicionin pasardhës të lajmeve, reklamat e kompanive ishin kaq të pakta sa uebet rezistonin me mbijetesë.

Kohë më vonë, sidomos vitet e fundit, portalet u kuptua qartë nga shumëkush, se janë të vetmet që përcjellin lajmin më të shpejtë.

E megjithatë, torta e reklamave për to nuk pësoi ndonjë rritje domethënëse.

Sepse paralelisht, nisën personazhe të artit, modelingut, etj., që të shesin hapësirat e tyre amatore për reklamuesit, si influencer, duke marrë fillimisht më lirë dhe më tej disa herë më shtrenjtë se portalet.

Ato janë bombarduar me reklama nga më të ndryshmet, në Instagram dhe Facebook sikundër mund ta keni parë vazhdimisht.

Janë që të gjitha, të ardhura që futen drejt e në xhep, me shpenzim zero.

Por duket se kjo do të marrë fund, pasi Instagram njoftoi se ka vendosur të marrë masa të rrepta për të goditur reklamat e fshehura nga “influencuesit” në rrjetin social që paguhen për të promovuar një produkt me fotografi apo video në llogarinë e tyre.

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve i Britanisë së Madhe (CMA) ka bërë këtë deklaratë duke iu referuar influencuesve me mijëra ndjekës që mund të fitojnë tarifa të mëdha nga kompani të ndryshme.

“Njerëzit do e kenë shumë të vështirë që të postojnë një reklamë në Instagram pa e etiketuar atë si të tillë,” tha CMA në një deklaratë.

Ky reagim i ashpër vjen pasi janë hetuar disa influencues dhe nuk e kanë sqaruar nëse janë paguar për produktin apo jo.

Ndikuesit do të duhet të konfirmojnë dhe zbulojnë nëse kanë marrë përfitim financiar për të promovuar një produkt ose shërbim dhe do te tatohen.

Pritet që ky vendim të shtrihet më gjerë në BE dhe të jetë kusht zbatimi edhe për vendet kandidate si Shqipëria.