Transmetuar më 16-10-2020, 20:50

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha sot se Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm. Ai shtoi se ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre.

Hoti e bëri këtë njoftim në një postim në llogarinë e tij në Facebook duke theksuar se ka pritur në takim përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, “si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike, me të cilët kemi biseduar për rolin e rëndësishëm që kanë në ruajtjen e sigurisë kombëtare, ruajtjen e rendit publik, ruajtjen e kufirit shtetëror, për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale”.

"Në Kosovë nuk do të ketë më përdorim të pajisjeve 5G që sigurohen nga shitës të pabesueshëm", tha z.Hoti dhe shtoi:

"Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre.

Sot kam pritur në takim përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike, me të cilët kemi biseduar për rolin e rëndësishëm që kanë në ruajtjen e sigurisë kombëtare, ruajtjen e rendit publik, ruajtjen e kufirit shtetëror, për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale".