Transmetuar më 16-10-2020, 18:45

Një tjetër rritje e ndjeshme e pagesës së detyrueshme mujore për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është vendosur paraprakisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, njoftou sot se ka miratuar propozimin për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë.

“Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM  nr.809 datë 26.12.2018, duke u rritur  me 15.4 %”, tha ministrja Denaj.

Kjo do të thotë që nëse deri tani, sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore paguheshin mbi shumën jo më pak se 26 mijë lekë në muaj, në vazhdim do të paguhen mbi vlerën 30 mijë lekë.

Vetëm disa muaj më parë, qeveria e çoi nga 22 mijë në 24 mijë, pagën e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Shumë biznese e kanë kundërshtuar këtë rritje të re të shumës mbi të cilën paguhen taksat mujore të pensioneve dhe shëndetësisë, duke vlerësuar se po rrënohen edhe më tej. /noa.al/