Transmetuar më 16-10-2020, 01:54

Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës urdhëroi kompaninë Megapharma të furnizojë në mënyrë jodiskriminuese të gjithë tregun e farmacive me vaksinën “INFLUVAC SUB-UNIT TETRA”.

Vendimi i Autoritetit erdhi pas një vrojtimi paraprak në të cilin u vu re se Megapharma furnizonte me këtë vaksinë vetëm rrjetin e farmacive Orange, ku kjo kompani zotëron 75% të aksioneve.

Infulvac është vaksina që përdoret për të parandaluar gripin e zakonshëm.

Kërkesa për vaksinat kundër gripit besohet se do të jetë më e lartë se sa zakonisht këtë vit për shkak se në të gjithë botën po rekomandohet përdorimi i saj me synimin për të pakësuar rrezikun e vajtjes në spital në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Në vendim njoftohet marrje e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes “MEGAPHARMA SHPK” në tregun e tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, si vijon:

a) Ndërmarrja “MEGAPHARMA SHPK” detyrohet të furnizojë të gjitha depot dhe farmacitë e tjera, dhe jo vetëm rrjetin e farmacive “Orange”, me vaksinën “INFLUVAC SUB-UNIT TETRA”.

II. Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.

III.Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrja “MEGAPHARMA SHPK” ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa (b) të Ligjit Nr. 9121/2003.

IV.Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrja “MEGAPHARMA SHPK” të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, germa b) të Ligjit Nr. 9121/2003.

V. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi dhe njoftimin e palëve të interesuara. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. KOMISIONI I KONKURRENCËS

Vendimi i plotë për Megapharma