Transmetuar më 16-10-2020, 01:46

Dhjetë kompani farmaceutike u dënuan për mosrespektim të urdhrit për të dhënë informacion te Autoriteti i Konkurrencës dhe 14 të tjera për shkak se kanë rritur çmimet e disa produkteve, kërkesa për të cilat u shumëfishua si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri. Autoritet njoftoi vendimin e marrë ditën e enjte.

Kompanitë “CFO Pharma” SHPK, “Delta Pharma – AL” SHPK, “Pharma One” SHPK, “Intermed” SHPK, “Alfarmakos” SHPK, “Trimed” SHPK, “Megapharma” SHPK, “Evita” SHPK, “IMI – Farma” SHPK, “Fufarma” SHA, “Medicamenta” SHPK, “Mini Invest Albania” SHPK, “Delta Med” SHPK, “O.E.S Distrimed” SHPK, “Montal” SHPK, “MSE” SHPK, “Farma Net Albania” SHPK, “Tresi – Farm” SHPK, “Incomed” SHPK, “Florifarma” SHPK, “Lekli” SHPK, “Dial – ALB” SHPK, “Sirol 2008” SHPK dhe “Aquila Group” SHPK u gjobitën pasi nuk respektuan një vendim të mëparshëm të Autoritetit të ndërmarrë gjatë krizës së marsit, ku urdhërohej që kompanitë të publikonin çmimet e këtyre mallrave.

Autoriteti fillimisht i kërkoi kompanive informacion mbi produktet dhe çmimet e shitjes, ku dhjetë nga kompanitë e pyetura nuk iu përgjigjën.

“Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve gjatë periudhës Shkurt-Maj 2020 në tregun e tregtimit me shumicë të materialeve maska, alkool dhe gel-dezinfektant konstatohet se ndërmarrjet kanë vazhduar të rrisin në mënyrë të pajustifikuar çmimet, duke mos zbatuar VKK nr. 685, datë 18.03.2020 “Për marrjen e masës së përkohshme për vendosjen e konkurrencës në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore”, thuhet në vendimin e autoritetit.

Për këto arsye, kompanitë që iu përgjigjën kërkesës për informacion, u gjobitën me nga 1 milionë lekë secila ndërsa kompanitë që nuk u përgjigjën, u gjobitën me 2 milionë lekë secila për shkak se mungesa e përgjigjes u konsiderua rrethanë rënduese.

Autoriteti shpalli gjithashtu se do të nisë një hetim të thelluar në këtë treg, në përfundim të së cilit, kompanitë që gjenden përgjegjëse do të mund të gjobiten me deri 10% të xhiros vjetore.

Në një vendim tjetër, Autoriteti urdhëroi kompaninë Megapharma të furnizojë në mënyrë jodiskriminuese të gjithë tregun e farmacive me vaksinën “INFLUVAC SUB-UNIT TETRA”.

Vendimi i autoritetit erdhi pas një vrojtimi paraprak në të cilin u vu re se Megapharma furnizonte me këtë vaksinë vetëm rrjetin e farmacive Orange, ku kjo kompani zotëron 75% të aksioneve. Infulvac është vaksina që përdoret për të parandaluar gripin e zakonshëm. Kërkesa për vaksinat kundër gripit besohet se do të jetë më e lartë se sa zakonisht këtë vit për shkak se në të gjithë botën po rekomandohet përdorimi i saj me synimin për të pakësuar rrezikun e vajtjes në spital në kohën e pandemisë së koronavirusit.