Transmetuar më 12-10-2020, 20:08

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të miture ka ndodhur në Kosovë.

Aksidenti ka ndodhur mesditën e sotme, sot rreth orës 14:20 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, saktësisht në fshatin Runikë në Skenderaj.

Në aksident janë përfshirë 2 automjete ku njëra prej tyre ka dalë jashtë shiritit rrugor dhe në trotuar ka goditur dy këmbësorë, një grua dhe një fëmijë.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur e vdekur një vajzë 5-vjeçare dhe është plagosur gruaja.

Drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në aksident, janë arrestuar nga Policia.

Njoftimi nga Policia

“Sot rreth orës 14:20, në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, gjegjësisht në fshatin Runikë të Skenderajt, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një (këmbësore) fëmijë i moshës pesë vjeçare ka vdekur, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe një këmbësore e moshës madhore. Bazuar ne hetimet fillestare në aksident ishin të përfshira dy automjete civile me targa vendore, ku si pasojë e aksidentit njëra nga veturat del jashtë shiritit rrugor ku në trotuar godet dy këmbësoret të cilat me urgjencë ishin dërguar në QKMF- Skenderaj, me ç’ rast mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”.