Transmetuar më 10-10-2020, 12:08

Njerëz të helmuar, mijëra gjallesa të ngordhura dhe uji i detit me ngjyrë të verdhë-shqetësuese: një katastrofë e madhe mjedisore po zhvillohet në Siberi. Nuk mund të shkohet në breg pa përdorur një maskë, sepse ajri është i rëndë.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e katastrofës: ku midis hipotezave për momentin besohet se ka pasur një rrjedhje karburanti nga materialet ushtarake të depozituara në rajon.

Një grup serfistësh dhanë alarmin e parë para tre javësh, pasi u helmuan dhe u ankuan për probleme të frymëmarrjes, ethe, kollë, dhimbje koke dhe djegie të syve.

Para se të sëmureshin, ata laheshin në plazhet vullkanike të Gadishullit Siberian Kamchatka, i cili mbikëqyr Detin Bering dhe Oqeanin Paqësor.

Katastrofa preku kryesisht botën shtazore. Në plazhet e gadishullit, janë përhapur fotografi dhe video si provë, ku shihen mijëra gjallesa detare të ngordhura: peshq, oktapodë, iriq, yje deti dhe gaforre. Plazhet oqeanike të zonës janë një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe një destinacion i njohur turistik dhe një vend takimi popullor për serfistët. Por për momentin nuk është e mundur të qëndrosh atje pasi ngjyra e verdhë e ujit dhe aroma toksike dominojnë të gjithë zonën.

Nga testet e kryera në vendin e katastrofës ambientale, Ministria e Burimeve Natyrore të rajonit regjistroi nivele shumë të larta të përbërjeve kimike toksike në ujë, të tilla si fenoli dhe derivatet e naftës. Nga hetimet e kryera në ditët e fundit, janë ngritur dy hipoteza mbi shkaqet e katastrofës: ose si pasojë e trajnimit ushtarak ose një humbje e materialeve ndotëse nga raketat ushtarake të depozituara në rajon. /a.y/noa.al