Transmetuar më 07-10-2020, 17:06

Serbia i ka dorëzuar notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Beograd.

Ministria e Jashtme e Serbisë e thirri ambasadorin Ilir Boçka për t’i dorëzuar notën e protestës në lidhje me deklaratat për kufirin me Kosovën, që u artikuluan në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

“Deklarata të tilla, që nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe provincën serbe të Kosovës dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, janë një arsye shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Jashtme.

Serbia i kërkon zyrtarëve shqiptarë që të jenë të matur në lidhje me deklaratat që sipas saj prishin raportet mes vendeve.

E teksa edhe Shqipëria i ka shprehur një notë proteste ambasadës serbe në Tiranë, ministria e Jashtme e Serbisë thotë se kjo notë proteste nuk është pranuar nga i ngarkuari me punë i Republikës së Serbisë në Shqipëri, për shkak siç thekson deklarata, “të pikëpamjeve të papranueshme të shprehura në të”. /k.k/noa.al/