Transmetuar më 05-10-2020, 18:30

Janë me qindra artistë, të cilëve u është ndërprerë aktiviteti prej tetë muajsh. Por më shumë këtë po e vuajnë ata artistë, të cilët siguronin më pak të ardhura.

Fatkeqësisht në vendin tonë janë të shumtë artistët, që po vuajnë papunësinë dhe fenomenin e të braktisurit, apo lënies jashtë vëmendjes, gjatë pandemisë.

Ata thonë se jo të gjithë këndojnë nëpër koncerte dhe dasma dhe kanë rezervuar shumë të mëdha parash, për të përballuar pauzën, sikurse tregu muzikor nuk funksionon dhe nuk ka as lidhje me artin, të cilin shteti duhet ta kishte rregulluar me kohë.

Një ndër këngëtaret e fundit që ngriti shqetësiminishte Xheisara.

Ajo tha se pauza prej tetë muajsh tashmë e ka dëmtuar rëndë ekonomikisht atë dhe shumë artistë të tjerë.

Xheisara u shpreh se nuk ka mundësi të paguajë taksat, ndërsa shtoi se e ka po aq të vështirë të ndryshojë profesion.

“Është turp, dje në televizor dhe nesër të shesë bukë 100 lekë, 200 lekë”, – tha këngëtarja.

Më tej ajo shtoi:

“Unë paguaj taksa, mua shteti më merr një herë në muaj në telefon dhe thotë paguaj taksat. Ndërkohë që unë s’kam lekë”.

Xheisara foli sot në studion e emisionit “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku u diskutua mbi muzikën dhe çështjen e koronavirusit, teksa këngëtarja u tregua shumë e zemëruar me autoritetet.

“Po mua çfarë po më hyn në punë bashkia”.

“Unë sot kam nevojë për shtetin. Këngëtarët të presin se kanë bërë lekë mjaftueshëm. Ne nuk jemi në punë, a nuk e meritonim edhe ne që të na jepnin pagë nga shteti”, – tha këngëtarja.