Transmetuar më 03-10-2020, 12:04

Kryeministri Edi Rama nënshkrimin e memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA, me Nën Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, për ndërtimin e HEC-it të Skavicës, e quajti një hap të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve, që e bën Shqipërinë një adresë të besueshme për investimet amerikane.

Ai tha gjatë nënshkrimit të mesditës së sotme, se bashkëpunimi strategjik për rrjete digjitale të sigurta, zhvillimi i burimeve hidrike dhe përpunimi i gazit të lëngshëm janë në interesin e përbashkët të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Memorandumi që nënshkruam sot për bashkëpunimin ekonomik faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por edhe të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të çfusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, u shpreh Rama.

Më tej tha se nxiten bizneset që të vazhdojnë në këtë biznes, ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur dhe angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizën dhe teknologjinë e vet, si dhe me financimin, për ndërtimin e Skavicës.

Ai u zotua se do të bëhet çmos që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, punësim e përfitim reciprok.

Në fjalën e tij Rama i uroi Presidentit amerikan Donald Trump, shërim të shpejtë, pas shtrimit në spital me koronavirus. /a.y/noa.al