Transmetuar më 01-10-2020, 16:05

Për shkak të pandemisë, ekonomia shqiptare parashikohet qe të ketë një rënie prej  9% në vitin 2020.

Sipas raportit të fundit të BERZH, nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet që të kenë rënin më të madhe ekonomike si rrjedhojë e goditjes së Covid-19. Serbia pritet që ta vuajë më pak krizën, me një tkurrje prej -3.5%. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja do të shohin një rënie prej 5%.

Por pritet që të rritet 4.5% në vitin 2021 sipas raportit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në raportin e muajit maj, ekonomia shqiptare parashikohej që do të rimëkëmbej me shpejtësi me 12% në 2021, ndërsa tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5 pikë përqindje.

Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH. Ekonomia e Shqipërisë është prekur më shumë nga pandemia si pasojë e efektit të saj negativ në turizëm, i cili normalisht kontribuon në më shumë se një të pestën e PBB-së së vendit.

Efekt tjetër në këtë rënie kanë pasur edhe eksportet e mallrave në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ranë me më shumë se 40 për qind në vit gjatë bllokimit më të ashpër (mars-maj 2020) dhe me 15 për qind nga viti në vit në qershor korrik.

Rënia e remitancave, është një tjetër faktor i cili ndikoi negativisht në ekonominë e vendit tonë sipas raportit të BERZH, të cilat u ulën me pothuajse një të pestën në gjysmën e parë të vitit 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019.

Ndërkohë që deri në mesin e vitit 2020 borxhi publik arriti në 80 për qind të PBB-së, 14 pikë përqindje më i lartë se në fund të vitit 2019.

/NOA.al