Transmetuar më 29-09-2020, 09:43

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, nga Vlora, ka dhënë disa mesazhe në adresë të politikës shqiptare. Duke komentuar nisjen e punës së komisionit parlamentar të Ligjeve, të amendamenteve të Kodit Zgjedhor për listat e hapura, pragun elektoral dhe koalicionet, ajo ka kërkuar respektimin e paktit të 5 qershorit.

“Jam shumë e kënaqur që, opozita jashtë Kuvendit, ka marrë përgjegjësinë, për të qenë e angazhuar dhe për të vazhduar për të përfaqësuar popullin.

Kam dëgjuar që PS e ka marrë këtë propozim dhe e ka futur  në debat. Ky standard i përfshirjes është ekzaktësisht ajo që presim nga një vend i NATO-s dhe një vend kandidat për në BE, edhe të një vend që meriton drejtimin e OSBE”, deklaroi ambasadorja Kim.

Ajo shtoi se këto janë standardet më të larta që i duhen Shqipërisë, duke paralajmëruar që t’i qëndrojnë besnikë 5 qershorit dhe ta zbatojnë atë me ndershmëri.

Diplomatja Kim ka një mesazh të qartë. “Mendoj se pozita, qëndrimi i SHBA është shumë i  qartë, e unë kam folur qartë për këtë. 5 qershori është arritur në një mënyrë që ishte gjithëpërfshirëse dhe transparente. Çdo palë që e ka nënshkruar, duhet t’i qëndrojë fjalës së saj, se është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet në atë letër. Ata që e kanë nënskruar atë letër janë persona përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Pritja ime është që 5 qershori do të nderohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera, përtej 5 qershorit, ne do ta mbështesim”, theksoi ambasadorja Kim.

Zonja Kim u kujdes te thote qe nuk e ka firmen e vet në paktin e politikanëve shqiptarë.

Analisti Andi Bejtja komenton këtë deklaratë të ambasadores dhe thotë se fjala “nder” e “nderim” ia ul vlerën kësaj marrëveshjeje, si në anglisht dhe në shqip.

"E dashur Ambasadore, po ia latë këtë marrëveshje, per ju kaq te rëndësishme, aq sa nxorët dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo të prononcohet publikisht, për të mira e gezime…. Kot paska dalë Pompeo, kot i mblodhët palët në Ambasadë të firmosnit dhe kot e ngritet gishtin aq lart duke thene fillimisht se topi eshte ne fushen e Lulit…

Nejse, tashme nuk na ngelet gje tjeter vecse maxhoranca qe theu hapur kete marrëveshje, te kete besim “tek nderi vet” aq sa keni ju besim “tek nderi i saj”. Edhe njehere per te mira e gëzime ", përfundon Bejtja.