Transmetuar më 28-09-2020, 23:15

Rudina Hajdari foli për vrasjen e babait të saj, Azem Hajdari, ku tha se e di kush ishin personat që tërhoqën këmbëzën dhe qëlluan mbi të atin.

E ftuar në emisionin “Opinion”, Hajdari rrëfeu edhe momentet e fundit me babanë, ku tha se pak para ngjarjes ata kanë pirë një kafe, në të cilën Azemi kishte qenë shumë entuziast.

“Ishim në një kafe, babi ishte shumë entuziast, po na përqafonte. Mamaja ishte 7 muajshe shtatzënë. ishte një moment i ngrohtë dhe i bukur. Në momentin që u ndamë, rreth orës 8-8 e gjysmë, ai donte të shkonte në zyrë për të ndjekur lajmet. Në çast babi më mori ‘hopa’. Në momentin që u ndamë, ne po e prisnim në shtëpi, sepse do të vinte të hante darkë me ne. Pastaj ndodhi ngjarja, që ishte tronditëse për të gjithë Tiranën”, u shpreh Hajdari.

Pyetje: Cila është porosia më e rëndësishme që ke marrë nga babai? Hajdari: Ishte fakti që zgjohej në mëngjes, një rutinë që bënte çdo mëngjes, ku pinte kos ose qumësht, e merrte në dorë dhe dilte në oborr, ku e prisnin një varg njerëzish. Ai ulej aty dhe i priste, i takonte, të gjithë me radhë. Unë isha fëmijë dhe më bënte përshtypje që njerëzit rrinin në radhë dhe ishin të duruar që ta takonin. Ajo që më bënte përshtypje ishte fakti që ai nuk lodhje kurrë. Padyshim që ne e dimë gjithë ngjarjen dhe e dimë kush e tërhoqi atë këmbëzën. Edhe drejtësia e ka shpallur se kush kanë qenë ata persona, por nuk kuptohet pse këta persona e kanë bërë këtë gjë, kur Azem Hajdari ishte njeriu i shqiptarëve dhe është dashur prej të gjithëve.