Transmetuar më 28-09-2020, 12:09

“Qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë në shtëpi, nxënësit mësojnë edhe me 4 turne, rrugët dhe oborret nëpër lagje janë si në mesjetë, tarifat janë më të shtrenjtat në Shqipëri, biznesi i vogël gjobitet për gjithçka, ajri është më i ndoturi në Europë, por Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk duan t’ia dinë për asgjë prej këtyre problemeve të përditshme të qytetarëve”.

Është kjo deklarata e bërë nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila tha se prioriteti i tyre kryesor janë inceneratorët, që po gllabërojnë miliona euro nga paratë e qytetarëve.

Sipas saj, inceneratori i Tiranës zë vendin e parë në skemën korruptive mafioze për të vjedhur qytetarët e Tiranës për llogari të pushtetit të Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetaj, Taulant Ballës dhe bandave që qëndrojnë pas tyre si amortizues të konflikteve mes klaneve në qeveri.

Zhupa tha se për inceneratorin e Tiranës, që duhet të ishte një investim privat, pa para publike, Erion Veliaj ka paguar së fundmi edhe 1 miliardë lekë te tjera.

Në vijim shtoi se nga taksat e rritura, që duhet të përktheheshin në shërbime më të mira për qytetarët, paguhet 1 miliardë lekë për biznesin privat të ngritur me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

“Pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës janë të fshehur pas llogarive në parajsa fiskale, por për llogari të këtij biznesi, Erion Veliaj rriti pak kohë më parë tarifën e pastrimit për qytetarët e Tiranës. Për të mbushur xhepat e inceneratorit të Ramës dhe Veliajt një qytetar duhet të paguajë 7500 lekë më shumë tarifë pastrimi, një biznes i vogël duhet të paguajë rreth 22 mijë lekë më shumë, ndërsa biznesi i madh deri ne 110 mijë lekë më shumë”, u shpreh Zhupa.

Ndër të tjera deklaroi se 1 miliardë lekë shtesë për inceneratorin e Tiranës do të thotë më pak para për ekonominë e vërtetë në mjerim dhe se çdo ditë në vend, humbasin vendin e punës 160 qytetarë dhe 170 biznese mbyllen, sepse Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk i përdorin taksat tona për të hapur vende pune, por për të mbushur xhepat që fshihen në parajsa fiskale.

Zhupa tha në mbyllje se inceneratorët janë një nga aktet më të rënda të korrupsionit dhe vjedhjes të këtij pushteti dhe se “qytetarët do t’i japin fund kësaj grabitje më 25 Prill dhe çdo qindarkë e vjedhur do të kthehet në arkën publike për t’u investuar në më shumë vende pune për të rinjtë”. /a.y/noa.al