Transmetuar më 27-09-2020, 13:56

Prej datës 1 tetor të këtij viti, në lokale dhe restorante do të lejhen edhe shërbimet në ambientet e brendshme.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Mnastirliu tha në një komunikim të posaçëm për mediat se përveç lokaleve dhe restoranteve, do të hapen edhe pishinat.

Kjo, sipas ministres, bëhet për t’i dhënë frymëmarje ekonomisë së këtyre bizneseve.

Ndërkaq, lokalet e natës dhe pabet, apo aktivitetet e orëve të mbrëmjes, nuk do të lejohen.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një video mesazhi, theksoi:

"Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt", bën me dije Manastirliu.

Duke theksuar se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit.

"Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.

Do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin Korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji.

Në video-mesazhin e saj, Manastirliu tha se në 40 javë të epidemisë nuk janë ndalur për asnjë çast përpjekjet e ekipeve mjekësore dhe të gjithë sistemit shëndetësor.

"Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, furnizimet e nevojshme dhe medikamente në spitalet Covid, kemi përgatitur për çdo eventualitet, dyfishimin e kapaciteteve në shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale, kemi shtuar testimet, gjurmimin dhe kemi fuqizuar ekipet e epidemiologëve të terrenit, për të zbatuar sa më me efikasitet strategjinë tonë të kufizimit të përhapjes së koronavirusit", tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale.

/k.k/noa.al/