Transmetuar më 26-09-2020, 12:22

Presidenti Ilir Meta ndan bindjen se demokracia nuk mund të sajohet, por se ajo kërkon energjinë e të rinjve.

Ai ndan një shkrim të cilin e quan një analizë të shkëlqyer të profesor Bajram Hysa, për të cilin thotë se na fton për reflektim të gjithëve:

“Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi”.

Ikja e të rinjve, po thahet demokracia- Nga Profesor Bajram Hysi

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-ës kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT. Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç. 15.3 mijë persona ishin të grupmoshës 18-34 vjeç. Mos vallë ne shqiptarët po jetojmë epilogun e kohëve biblike dhe të kohëve moderne?

Krizë e thellë besimi

Kush i shtyn vallë të rinjtë tanë të ikin në masë? Forca tërheqëse e pasurimit? Jo. “Kurrë mos beso se një njeri që kapet pas fitimeve materiale është i lumtur”, thoshte Seneka. Lumturinë dhe mirëqenien çdokush e sheh në vendin e tij. Por të rinjtë janë në krizë të thellë besimi. Janë të ndrydhur në vetvete, kur ndiejnë rreth vetes klimën e përjashtimit dhe mospranimit. Shteti ndaj tyre sillet si racist. I përbuz, i fyen me lloj-lloj formash. Kur aplikojnë për punë e kualifikime, dokumentet e tyre përfundojnë në kosh. Ata e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre, për të shfrytëzuar aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike. Për të mos folur për nevojtarët në zonat rurale, të cilët janë larg qendrave të debatit për të drejtat e njeriut. Përtej fjalorit patriotik, forumet tona akademike duhet të evidentojnë dhe debatojnë shkakun kryesor të këtyre ikjeve masive të të rinjve.

Prishen rregullat e lojës demokratike

Unë mendoj se ikjet masive ndodhin pasi të rinjtë tanë nuk kanë një kontratë me vendin e tyre, me kombin e tyre. Ata janë shqiptarë, por ndihen sikur nuk i përkasin Shqipërisë, sepse thelbi i përkatësisë në thelb është bashkësia kulturore. Në Shqipëri ka ndodhur një anomali historike, është shkërmoqur bashkësia kulturore që do t’u lejonte të rinjve të integroheshin në gjirin e kombit. Mbrojtja e demokracisë nuk i mobilizon, më tepër sesa shkelja e vlerave të saj. Të rinjtë që ikin nuk e kanë kuptuar siç duhet rëndësinë e rolit të tyre në jetën e kombit dhe pjesëmarrja e tyre ka ardhur duke u dobësuar. Ideja se disa çështje, mbi të cilat ata mendojnë se nuk kanë asnjë ndikim, zgjidhen pa pjesëmarrjen e tyre, pa dyshim shpjegon te të rinjtë dhe te grupet e varfra dhe më të prekshme njëfarë ftohtësie në lidhje me rregullat e lojës demokratike.

Demokracia kërkon energjinë e të rinjve

Ndaj është imperative që nxënësit dhe studentët duhen përgatitur me përgjegjësitë e njeriut të lirë të së ardhmes, të edukohen me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndryshe do të ketë pasoja afatgjata mbi fatin e të gjithëve. Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e këtyre të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet e thahet.

Qytetar i gjallë është ai që ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësues. Shumë të rinj, me prirje të larmishme politike, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, ndaj fati i zgjedhjeve mbetet në dorë të militantëve tradicionalë. Rama u bë autokrat pikërisht pse të rinjtë dhe njerëzit që presupozohen të jenë aktivë në jetën politike e sociale, i sundon ndjenja e apatisë dhe mosreagimit kur dhunohen dhe nëpërkëmben rregullat demokratike.

Duke iu nënshtruar skemave të mendimit autoritar të Kryeministrit, e lejuan atë të përvetësojë demokracinë, të bëjë një qeveri me njerëz të paditur, që shquhen vetëm si mjeshtër të korrupsionit dhe PPP-ve. “Rilindasit” kanë ndërtuar një pushtet për vete, që nuk ndahet me të tjerët, duke prodhuar skamje, varfëri ekstreme, vetmi të hidhur dhe shterpë. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk kanë një ide të qartë mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë shoqëria në shkallë lokale, ku pjesëmarrja e tyre është e fuqishme.

Dhe jemi në një situatë kur përjetojmë “melankolinë e demokracisë”. Kur një njeri i vetëm, i veshur me të gjitha pushtetet, bën çfarë t’i shkrepet. Hap e mbyll listat si t’i dojë qejfi. Ndryshon rregullat e lojës në mes të lojës.

Gjithçka buron nga kriza e sotme e arsimit

Të rinjtë kanë të drejtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por Shqipëria nuk i përgatit ata me përgjegjësitë e njeriut të lirë. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi. Liria është e pamundur për të paditurin. Ka vite që te ne ka munguar edukimi bazë. Është zbehur roli i shkollave. Është rrënuar prestigji dhe roli i universiteteve.

Qeveria kreu vetëvrasje ditën që ndryshoi ligjin e arsimit të lartë, duke cenuar autonominë dhe vënë në pikëpyetje rolin e universiteteve . Sot nuk ka programe që shkollat dhe universitetet të lidhen me jetën. Hendeku mes arsimit të ofruar dhe shijeve të nxënësve është jashtëzakonisht i thellë. Të rinjtë kanë një botë të vetën. Dikur ne ishim të mohuar si popull, sot të rinjtë mohohen si individë. Koha, energjia dhe fondet që i kushtohen edukimit themelor përbëjnë investimin njerëzor më përcaktues për të ardhmen e vendit.

Mjafton të përmendim se në vitin 2018, arsimit i janë akorduar fonde sa 2.47% e PBB-së, ndërsa në vitin 2019 ai nuk i kalon nivelet e mbështetjes së ofruar në vitin 2013. Shkollat dhe universitetet kanë për detyrë t’i përgatisin të rinjtë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, si qytetarë me të drejta të barabarta. Duket se PD-ja dhe opozita ka një projekt bashkëkohor për arsimimin dhe punësimin e të rinjve, për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.